E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaqiri synon fund me trofe

Xherdan Shaqiri dëshiron ta përfundojë eksperiencën në Basel në mënyrë të suksesshme. Pasi e fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Zvicrës vitin e kaluar, futbollisti kosovar synon ta përsërisë këtë sukses edhe këtë sezon.

Javë më parë, Baseli e siguroi titullin e kampionit, ndërsa të mërkurën (sonte) do të luajë në finale të Kupës ndaj Luzernit.

Dhe 20 vjeçari e synon edhe këtë trofe për t’u larguar nga ky ekip si triumfues. Siç dihet, nga vera futbollisti gjilanas do t’i bashkohet Bayern Munichut.

“Kam pasur një sezon të madh, por nuk duhen harruar as lojtarët e skuadrës, të cilët më kanë ndihmuar shumë. Mezi pres të luaj në finale të Kupës dhe e mirëpres atmosferën që do të krijohet në stadium”, deklaroi fillimisht përfaqësuesi zviceran për ueb faqen zyrtare të klubit.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, por jam i bindur se për ta fituar, nevojitet skuadra më e mirë. Mendoj se jemi ne ajo. Unë dua ta mbyll eksperiencën në Basel me një paraqitje të shkëlqyeshme dhe si triumfues”, shtoi Shaqiri i cili pati tri sezone fantastike në Basel, ku fitoi 5 trofe dhe e pati rastin ndërkohë të paraqitet në Ligën e Kampionëve dhe në Botëror me Zvicrën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›