Shefat braktisin spitalin për fundjavë, QSUT në dorë të specializantëve
Qendra Spitalore Nënë Tereza në fundjavë duket krejtësisht e braktisur nga padronët e saj. Shefat e shërbimeve në pothuajse të gjitha pavijonet nuk ndodhen në QSUT. Në ambientet e qendrës më shëndetësore më të madhe në vend janë vetëm specializantët
e rinj të cilët përveçse presin e përcjellin pacientët japin edhe receta për të sëmurët. Specializantët që janë kryesisht studentë të viteve të fundit në fakultetin e mjekësisë mesa duket në fundjavë kanë ditët e tyre ku e ushtrojnë profesionin e mjekut pa asnjë vështirësi. Madje duke i marrë edhe të gjitha përgjegjësitë e shefave të tyre të cilët është e rrallë të gjendet në ambientet e QSUT-së të shtunave apo të dielave. Por përveç kësaj problemi shfaqet tek pavijonet që janë më të prekshmit tek pacientët ku duhet të jetë patjetër e nevojshme ndërhyrja e mjekëve specialistë. Një prej pavijoneve ku pacientët presin me orë të tëra mbrapa dyerve është ai i urgjencës ku mjekët njoftohen vetëm me anë të telefonave. Pacientët që në këtë rast janë ata që të shtunave e të dielave duhet të mendohen mirë përpara se të shkojnë në spital pasi nuk do ta kenë aty shërbimin e mjekëve specialistë. Pavijonet ku është më se e nevojshme prania e mjekëve është urgjenca apo pavijoni i pediatrisë. Sipas rregullores së vendosur nga Ministria e Shëndetësisë por jo vetëm, në fundjavë një mjek specialist është i detyruar të jetë I pranishëm në të gjitha pavijonet. Kjo rregullore është e përcaktuar edhe nga drejtoria e QSUT-së.
Rregullorja
Vendosja e këtij rregulli te ri në të gjitha pavijonet por sidomos në urgjencë pediatria dhe në pavijonin e kardiologjisë, ka bërë që mjekët kirurgë të qëndrojnë në ambientet e spitalit deri në orën 16:00. Pas kësaj i gjithë ky shërbim lihet pothuajse bosh. Kjo sepse, në bazë të një rregulloreje të këtij pavijoni, mjekëve kirurgë iu hiqet e drejta për të qëndruar, sipas një grafiku të caktuar, mjekë roje pas mbarimit të 8-orëshit të punës. Në fakt ka qenë kjo një kërkesë e vetë stafit mjekësor të këtij shërbimi, të cilët e kanë quajtur të padrejtë që ata të bëjnë edhe mjekun roje. Ata e kanë depozituar kërkesën pranë Drejtorisë së QSUT-së, që me sa duket e ka quajtur të drejtë pretendimin e kirurgëve të kardiologjisë dhe ka miratuar propozimin e tyre. Kështu që për të gjithë ata që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, nëse i kap ndonjë krizë pas orës 16:00 e kanë të kotë të shkojnë në QSUT, pasi aty do të gjejnë vetëm specializantët. Në fakt edhe mjekët specializantë përfshihen në grafikun e mjekut roje, por zakonisht ata i lënë gjatë ditëve të javës që të mos jenë vetëm. Pasi duke qenë ende specializantë, ata e kanë të vështirë të ndërmarrin një ndërhyrje kirurgjikale, pa pasur një kirurg të vjetër mbi kokë, nëse ka ndonjë rast urgjence.
Ndryshimi
Duket se kjo është një metodë e vjetër që luhet në disa nga shërbimet e QSUT-së. Pasi edhe në disa shërbime të tjera, në listat e mjekëve të rojës që afishohen në fundjavë apo në ditë festash janë pikërisht ata të specializantëve. Dhe menjëherë pas kësaj rregulloreje të re, që favorizon bluzat e bardha të kardiologjisë, kanë nisur edhe thashethemet. Koleget e tyre, por që punojnë në klinikat e tjera të QSUT-së, thonë se kjo nuk është gjë tjetër veçse një marrëveshje e pastër për të favorizuar klinikat private. Duke qenë se pavijoni do të rrijë zbuluar dhe nuk do të ketë asnjë mjek që qëndron pas orarit zyrtar, duhet se pacientet do të jenë të detyruar të shkojnë në klinikat private. Kardiologjia është një ndër pavijonet, që ka një fluks të madh kërkesash gjatë gjithë vitit. Madje ka aq shumë, saqë në shumë raste, në urgjencën e këtij shërbimi, nuk ka shtretër për të gjithë pacientët. Këtu vijnë të marrin shërbimin edhe shqiptarët nga Kosova e Maqedonia.
Pediatria 40-60 raste në ditë, të vegjlit me virozë dhe alergji të stinës
Pavijoni i Pediatrisë duket sikur është i vetmi shërbim me mbipopullim qytetarësh në krahasim me pavijonet e tjera që përveç mungesës së mjekëve specialistë janë të boshuar edhe nga vetë pacientët. Pediatria këtë fundjavë ka qenë plot, me pacientë të vegjël që të shoqëruar nga prindërit e tyre kanë kryer një sërë vizitash. Sipas mjekëve specialistë gjatë kësaj fundjave janë shtuar rastet me virozë të stinës e me alergji përsa u përket fëmijëve të vegjël që mesa duket janë më të ndjeshmit ndaj këtyre problemeve. Me ardhjen e pranverës është shtuar edhe numri i të sëmurëve nga alergjitë stinore. Mjekët tregojnë se në ndryshim nga 15 vite më parë është rritur numri i fëmijëve të moshës 1 deri në 15 vjeç të prekur. Personat që janë alergjikë por që nuk mjekohen, shpesh kalojnë në astmë bronkiale. Mjekët tregojnë se në zonat rurale është shumë i lartë numri i personave alergjikë, që kanë kaluar në astmë bronkiale. Alergologët këshillojnë që prindërit të konsultohen me mjekët e familjes për çdo problem të fëmijëve të tyre, pasi shpesh alergjitë ngatërrohen me virozët e stinës. Alergjitë të shkaktuara nga rritja e temperaturave dhe shtimi i pluhurit sipas mjekëve janë edhe sëmundjet e stinës. Pas largimit të virozave gripale numrin më të madh të rasteve që paraqiten tek mjeku e zënë pacientët të cilët vuajnë nga alergjitë. Mjekët Alergologët theksojnë se problemet në rrugët e sipërme të frymëmarrjes janë më evidente në këtë periudhë të cilat shoqërohen me teshtima, rrufa si dhe bllokim të hundëve. Ndërkohë që problemet e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes, pikërisht astmat, janë më të pakta në këtë stinë. Rritja e temperaturave dhe shtimi i pluhurit gjatë këtyre muajve, pikërisht në prill-maj rrit edhe numrin e personave alergjikë. Ende nuk kanë filluar ato dyndjet e rasteve, por problemet e para janë shfaqur tek personat alergjike. Nëse priten ndryshime të temperaturave, pra ulje të tyre dhe ditë me shi këta persona qetësohen. Por nëse temperaturat e larta vazhdojnë ende, problemi i tyre bëhet më shqetësues.
Shenjat
Përqendrimi i lartë i poleneve në ajër dhe niveli i lartë i ndotjes ndikon në rishfaqjen e kësaj sëmundjeje. Alergjia në të shumtën e rasteve, sipas mjekëve, manifestohet me teshtima të shpeshta, të herëpashershme, kullim, kruajtje, skuqje dhe bllokim të hundëve. Por shpesh herë kanë edhe kruajtje të syve dhe skuqje të tyre. "Moshat që preken nga alergjitë që shfaqen këto muaj janë nga 5 vjeç deri në 55 apo edhe 60 vjeç. Të gjithë këta persona shfaqin problemet e sipërpërmendura të rrugëve të sipërme te frymëmarrjes. Sipas saj, mënyra më e mirë për të parandaluar këtë lloj alergjie është mos ekspozimi në këtë periudhe në ambiente me diell apo pluhur.
Si ti kurojmë alergjitë, këshillat përkatëse
Vizita tek mjeku specialist është e vetmja këshillë që jepet nga mjekët, kjo për vete faktin se rastet duhet të trajtohen sipas specifikave dhe problemeve që shfaqin. Ndërkohë për personat të cilët kanë pasur këto lloj problemesh edhe më parë rekomandohet kurimi paraprak për të parandaluar shfaqjen e sëmundjes me rritjen e temperaturave. Për sa i përket mjekimit medikamentoz, skema e mjekimit bëhet gjithmonë sipas karakteristikave individuale tek të sëmurët. Por e rëndësishme është që vizita tek mjeku të bëhet në momentet e para të shfaqjes së problemeve. I sëmuri trajtohet dhe mjekohet për atë agjent që shkakton alergjinë. Kjo vërtetohet nga provat e alergjisë dhe me pas caktohet edhe medikamenti, por ka raste kur rekomandohet edhe vaksinimi. Kurimi është i rëndësishëm pasi patologjitë alergjike ulin aftësinë në punë, janë shqetësuese dhe mund të kalojnë nga rruget e sipërme të frymëmarrjes në rrugët e poshtme, duke u shndërruar në bronkit apo në një astme të mundshme më vonë.
Polenet, shkaktarët nr 1 të alergjisë
Një nga alergjitë më të njohura gjatë stinës së pranverës është edhe ajo e luleve, ose siç njihet nga mjekët si alergjia e shkaktuar nga polenit e luleve. Këta të fundit janë edhe shkaktarët kryesore të kësaj "sëmundjeje