E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shefat e QSUT-së: Mjekët e rinj indiferent ndaj studimeve dhe pacientëve

Shefat e QSUT-së që kanë dekada që punojnë në këtë spital japin opinionet e tyre për mjekët e rinj. Janë të dhënë pas interesave

Janë shumë të ftohtë ndaj pacientëve duke e harruar edhe misionin e tyre human. Ndërsa sa i takon punës kërkimore-shkencore janë shumë indiferent dhe vendin epunës në spitalin më të madh të vendit “Nënë Tereza” nuk e kanë zënë në sajë të aftësive që kanë. Ky është opinioni i shefave të shërbimeve që kanë disa dekada që punojnë në QSUT për mjekët e rinj. Ata pohojnë për gazetën pikërisht këto dy anë negative që vihet re gjithnjë e më shumë tek brezi i ri i mjekëve.

Sjellja me pacientët

Nuk dinë të respektojnë të sëmurin dhe në shumë raste iu mungon edhe komunikimi normal ndaj tyre. Kështu e nis opinionin e tij për sjelljen e mjekëve të rinj ndaj pacientëve shefi i shërbimit të Endokrinologjisë, Feçor Agaçi i cili nuk ngurron të thotë se pas viteve ‘90 vëren një lloj shthurje të sjelljes së të rinjve. “Brezi ynë ka qenë brez që ka jetuar në një regjim diktatorial i cili krahas shumë të këqijave kishte një të mirë sepse të detyronte të moshuarit, të sëmurët dhe eprorët t’i nderojë dhe kjo ishte pozitive”, pohon Agaçi duke shtuar se është për të ardhur keq që respekti që duhet të burojë nga natyra njerëzore të imponohet siç e impononte diktatura me dhunë. Ndërsa shefi i shërbimit të Nefrologjisë, Nestor Thereska i cili pohon se ka plot 40 vjet që punon në QSUT thekson se ka shumë rezerva ndaj sjelljes së mjekëve të rinj me pacientët. “Sjellja e mjekëve të brezit tonë ishte shumë korrekt ndaj pacientëve, por edhe ndaj kolegëve gjë sot nuk para vihet re. Sot mjekët e rinj kanë marrëdhënie shumë të ftohta dhe të ngurta me pacientët. Ndoshta kjo ndodh se tashmë ka hyrë në mes materializmi dhe për këtë ndikojnë edhe rrogat e vogla të mjekëve të rinj”, pohon Thereska duke shtuar se humanizmi ndaj pacientëve po zbehet gjithnjë e më shumë. Ndërkohë opinioni i shefit të shërbimit të Mjekisë Interne. Mihal Tase për sjelljen e mjekëve të rinj ndaj pacientëve jep një shpjegim disi më interesant. “Sa i takon mënyrës së komunikimit të brezit të ri me pacientët mendoi se kjo ka lidhje me teknologjinë. Ne në atë kohë nuk kishim aparatura apo mjete të sofistikuara ndaj dhe na duhej të merreshim më shumë me pacientët”, pohon Tase. Ndërsa kryeinfermierja e Qendrës së Konsultave, Gjenovefa Nurka nuk i kursen kritikat ndaj sjelljes së infermiereve të reja të cilat sipas saj në shumë raste iu mungon totalisht etika e komunikimit me pacientët.

Studimet shkencore

Të gjitha kanë të njëjtën mendim. Brezi i ri i mjekëve është shumë indiferent ndaj studimeve dhe sidomos ndaj punës kërkimore-shkencore. “Mjekët e rinj hyjnë sot në QSUT jo në sajë të zotësive që kanë, por padrejtësisht. Pra, ata nuk hyjnë në bazë të punës kërkimore shkencore që kanë bërë. Për të mbijetuar bëhen servilë të shefave dhe sot qëllim primar i një pjese është sa të fitojnë e jo ndihma që duhet t’i jepet pacientit”, pohon Thereska. Sipas tij në vitin ‘82 u vu si kusht që pedagogët e rinj duhej të merreshin patjetër me punë shkencore në të kundërt do të përjashtoheshin ndërsa, sot nuk ndodh kjo. Ndërkohë Mihal Tase pohon se brezi i tij ka qenë shumë më i përkushtuar për të studiuar se brezi aktual. “Ndoshta ne nuk kemi pasur shumë mundësira argëtimi siç ka sot ndaj dhe studimi ishte primar për ne”,- pohon Tase.

Feçor Agaçi

Me ardhjen e demokracisë unë shoh një lloj shthurje dhe që brezi i ri nuk e respekton brezin e vjetër ashtu siç duhet respektuar. Më vjen keq që ky respekt që duhet të burojë nga natyra njerëzore të imponohet siç e impononte diktatura me dhunë. Vihej re që brezat tanë studionin dhe më shumë se ky brez dhe ishin më të përqendruar se të rinjtë e ditëve të sotme. Arsyet për këtë mund të jenë të shumta dhe të gërshetuara

Nestor Thereska

Sot mjekët e rinj kanë marrëdhënie shumë të ftohta dhe të ngurta me pacientët. Ndoshta kjo ndodh se tashmë ka hyrë në mes materializmi dhe humanizmi po zbehet gjithnjë e më shumë. Mjekët e rinj hyjnë sot në QSUT jo në sajë të zotësive që kanë, por padrejtësisht. Pra ata nuk hyjnë në bazë të punës shkencore që kanë bërë. Për të mbijetuar bëhen servilë të shefave dhe sot qëllim primar i tyre është se sa të fitojnë jo ndihma që duhet t’i japin pacientëve.

Mihal Tase

Mendoi se brezi ynë ka qenë shumë më i përkushtuar për të studiuar se brezi aktual. Ndoshta ne për faktin se nuk kemi pasur shumë mundësira argëtimi siç ka sot ndaj dhe studimi ishte primar për ne. Sa i takon mënyrës së komunikimit të brezit të ri me pacientët mendoi se kjo ka lidhje me teknologjinë. Ne në atë kohë nuk kishim aparatura apo mjete të sofistikuara ndaj dhe mund t’i përkushtoheshim më shumë pacientëve.

Gjenovefa Nurka

Kemi qenë një brez shumë më i përkushtuar në punë. Sot nuk vihet re kjo gjë sepse mungon jo vetëm humanizmi, por edhe serioziteti në punë nga brezi i ri i infermierëve. Ndoshta kjo ndodh se mungon respektimi i rregullave dhe kjo bie pikërisht, mbi kurrizin e pacientëve. Mendoj se bluzat e bardha duhet të jenë korrektë duke filluar që nga mënyra e veshjes e deri tek detajet se si duhet të sillen ndaj pacientëve. Ky është humanizmi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›