Skela, gol alla “play-station”
Ervin Skela do të dëshironte që trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han, ta niste nga ai vëzhgimin në ndeshjen emocionuese Bokum-Energi Kotbus, ku fantazisti i kuqezinjve shënoi edhe një nga gjashtë golat e krijuar në barazimin 3-3 midis dy skuadrave të Bundesligës gjermane. Magjistari shqiptar shënoi golin e dytë të skuadrës së tij (3-2) vetëm një minutë pasi Auer (68’) kishte shënuar golin e tretë për Bokum dhe ndeshja kishte marrë tone mbyllëse. Një gol i tëri për meritë të Ervinit. Portieri i Bokumit, Lastuvska, hodhi topin në drejtim të mbrojtësit të tij, Maltric, Skela ia doli t’i rrëmbente sferën dhe realizoi me zgjuarsi me të djathtën. Ndeshja pati kohën edhe për golin e tretë të Energi Kotbusit, të realizuar Jeliç. Në minutën e 89-të shqiptari u largua me duartrokitje, në pritje të takimit të radhës kundër Borusias së Dortmundit, ku do të asistojë edhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel. Dhe Skela, i cili deri tani ka shënuar 3 gola dhe ka dhënë 3 asiste, e ka ruajtur një dhuratë për gruan më të fuqishme në botë.
Lala–Kapllani -Derbi i shqiptarë në Bundesligë, Hanover 96 - Karslruhe u nda në paqe 2-2. Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala (Hanover), luajti për 68 minuta, por nuk pati fatin të kryente qoftë edhe një dyluftim formal me Edmond Kapllanin, pasi sulmuesi i Karlsruhes hyri si zëvendësues në minutën e 73-të, duke zëvendësuar australianin Xhoshua Kenedi, autor i golit të parë për skuadrën e Edmund Bekerit.
Curri- Mesfushori veteran, Skerdi Curri, vazhdon të prodhojë performanca tërheqëse me skuadrën e tij, Erzgebirge Aue. Kavajasi 32-vjeçar ishte pjesë e aksionit të golit të parë të Aue në fitoren 3-1 kundër Kicker Ofenbah në ndeshjen e vlefshme për Bundesligën 2 gjermane. Curri, deri tani, në 16 takime ka shënuar një gol dhe ka dhënë dy asiste.
Salihi- Thjesht është prodhuar për të shënuar. Hamdi Salihit nuk mund t’i mungojë goli, është ndeshje miqësore apo zyrtare. Golashënuesi më i mirë sezonal i skuadrës austriake, SV Ried, ishte autori i golit të parë në miqësoren kundër Red Bull Juniors të Salzburgut. Shkodrani shënoi në minutën e 20-të, ndërsa Shmidël fiksoi shifrat 2-0 në minutën e 79-të. Për ish-sulmuesin e Vllaznisë, ky është goli i tretë në miqësoret dimërore. 750 mijë euro është vlera e Hamdi Salihit sipas transfertmarkt.de
D. Frashëri
11 Shkurt 2008