E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Topalli shmangin Topin

Gjatë ceremonisë së djeshme për 80-vjetorin e Gardës së Republikës, kryeparlamentarja Topalli ka shmangur takimin me Topin, duke u përfaqësuar në ceremoni nga nënkryetari Fatos Beja.

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe kryeministri Sali Berisha “shmangin” takimin me presidentin Bamir Topi në ceremoninë zyrtare të 80-vjetorit të krijimit të Gardës së Republikës. Në ceremoninë e djeshme, në vend të kryekuvendares Topalli ishte zëvendësi i saj, Fatos Beja. Burimet zyrtare të Kuvendit bëjnë të ditur se mungesa e Topallit në ceremoninë e djeshme vjen vetëm si pasojë e nisjes së saj drejt Francës pasditen e djeshme, për një takim të Unionit Demokratik. Ndërkohë, ceremonia në Gardën e Republikës u zhvillua paraditen e djeshme dhe mungesa e kryeparlamentares Jozefina Topalli argumentohet me axhendën e ngjeshur të saj. Ndërsa mungesa e kryeministrit Sali Berisha ishte e paralajmëruar, pasi edhe ai është nisur një ditë para ceremonisë drejt Francës, për një takim dyditor të organizuar nga “Miqtë e Evropës”. Takimi më i fundit mes presidentit Bamir Topi dhe kryeparlamentares Jozefina Topalli ishte më datë 9 qershor, kur në Presidencë, dy krerët e lartë të shtetit i dhanë dorën njëri-tjetrit dhe trokitën gotat e shampanjës në ceremoninë e pritjes së Grupit Parlamentar të Miqësisë Austri-Shqipëri. Në këtë ceremoni, presidenti Bamir Topi dekoroi kryetarin e grupit Volfgang Grosruk me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, dekoratë e cila ishte propozim i kryeparlamentares Jozefina Topalli. Kjo ceremoni zhvillohej në kulmin e debatit për zvarritjen e dekreteve të presidentit, ndërsa “paqja” mes dy krerëve të lartë të shtetit shqiptar zgjati shumë pak. Disa ditë më pas, mazhoranca rrëzoi me votë të fshehtë pesë dekretet e presidentit, ndërsa nga ana tjetër ky i fundit ngriti një grup ekspertësh të pavarur për përzgjedhjen e kandidaturave të reja. Në të njëjtën kohë, presidenti Bamir Topi ka “sfiduar” mazhorancën, duke rikthyer për konkurrim pesë gjyqtarët e rrëzuar nga Parlamenti. Gjithashtu, edhe mazhoranca ka paraqitur pak ditë më parë, nëpërmjet nënkryetarit të Parlamentit, Fatos Bejës, draftin për ndryshimin e rregullores parlamentare, e cila i mundëson Parlamentit shqyrtimin në themel të kandidaturave të dekretuara nga presidenti, edhe pasi ato të jenë “filtruar” nga ekspertët e presidentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›