E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për ne Uidhërs është i pastër

Kryeprokurorja e vendit, Ina Rama, bëri të ditur dje, se institucioni hetimor që ajo drejton, nuk ka informacione për përfshirjen e zyrtarëve të lartë të ambasadës amerikane në aferën AEY-Meico

TIRANË – Prokuroria e Përgjithshme nuk ka asnjë informacion për përfshirjen e zyrtarëve të lartë të ambasadës amerikane në Tiranë në aferën e fishekëve kinezë të shitur për llogari të SHBA-ve në Afganistan. Të paktën kështu deklaroi dje Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Kjo e fundit preferon të mos komentojë letrën e kreut të komisionit hetimor në Kongresin Amerikan, Henry Waxman, i cili i shkruante në një letër sekretares së Përgjithshme Amerikane të Shtetit, Kondoleza Rais, se ambasadori amerikan i akredituar në Tiranë, Xhon Uidhërs dhe zyrtarë të tjerë të kësaj ambasade ishin në dijeni të shitjes së municioneve të vjetër kinezë nga Shqipëria në Afganistan. Në fakt, organi qendror i akuzës në bazë të marrëveshjeve me shtetin amerikan, nuk ka “tagrin” që të hetojë diplomatët.

Nuk kanë informacione për Uidhërsin

Duke i kursyer komentet rreth kësaj çështjeje, kryeprokurorja Rama deklaroi se institucioni që ajo drejton nuk ka asnjë informacion që tregon se ambasada amerikane është përfshirë në aferën e shitjes së fishekëve të vjetër kinezë, të cilët ishin për llogari të një kontrate që Pentagoni kishte me 22-vjeçarin Diveroli. Deklarata e shkurtër e Prokurores së Përgjithshme erdhi pas raportimit të punës për vitin 2007 në Komisionin e Ligjeve, ku ndër të tjera, Rama informoi Komisionin e Ligjeve në lidhje me kërkesën që organi i akuzës u ka dërguar autoriteteve amerikane, për të marrë në pyetje presidentin e kompanisë “AEY”, Efraim Diverolin, në kuadër të zbardhjes së tragjedisë së Gërdecit. Pas insistimit të mediave rreth një komenti për letrën që implikonte dhe ambasadën amerikane në skandalin që ka tronditur Pentagonin, kryeprokurorja tha se prokuroria nuk ka informacione për një gjë të tillë, pa dashur të komentojë më tej situatën.

Mes të tjerash

Gjatë paradites së djeshme, kryeprokurorja Ina Rama ka prezantuar arritjet që institucioni i drejtuar prej saj ka pasur gjatë vitit 2007, duke vlerësuar edhe punën e paraardhësit të saj, Theodhori Sollaku, i cili ka drejtuar Prokurorinë e Përgjithshme deri në muajin nëntor të vitit të kaluar. Krahas arritjeve dhe vlerësimeve, Ina Rama kërkoi më shumë buxhet për organin e akuzës, por edhe mbrojtje të veçantë për prokurorët. Ndërkohë, në të gjitha “vrimat e zeza” që pati gjetur mazhoranca për të hequr nga detyra Sollakun, paraardhësin e Ina Ramës, situata është ende e pandryshueshme. E pyetur në lidhje me ekstradimet e mëdha të pakryera ende, kryeprokurorja dha dje të njëjtën përgjigje siç pati dhënë dhe Sollaku, se ato nuk kryhen për shkak të ligjeve në fuqi dhe mungesës së marrëveshjeve të ekstradimit me disa vende. Ndërsa në lidhje me skandalin e lirimit të disa personave të cilësuar si psikikë me raporte mjeko-ligjore, për të cilin ndaj Sollakut e stafit të tij u thanë “një mijë e një të zeza”, mësohet se kryeprokurorja Rama pohoi se asnjë nga të liruarit që në raportin e Ministrisë së Drejtësisë cilësoheshin si të liruar padrejtësisht, nuk është kthyer në qeli.

Dosja “Gërdeci”

Gjatë prezantimit të raportit për vitin 2007 nuk munguan as pyetjet rreth hetimit për dosjen “Gërdeci”, e cila që prej fillimit të muajit prill po hetohet nga një grup prokurorësh në Prokurorinë e Përgjithshme. Në lidhje me hetimet e tragjedisë së 15 marsit, kryeprokurorja tha se institucioni që ajo drejton është i angazhuar dhe i vendosur për të zbardhur tragjedinë e Gërdecit, duke i shkuar deri në fund hetimit të kësaj çështjeje. “Prokuroria është angazhuar maksimalisht për të zbardhur ngjarjen”, - tha kryeprokurorja. Gjatë fjalës së saj, Prokurorja e Përgjithshme nuk dha detaje rreth fazës në të cilën ndodhet hetimit. “Nuk mund publikoj në ç’fazë jemi me hetimet në lidhje me tragjedinë e Gërdecit dhe as pengesat që po hasim për këto hetime”, - tha kryeprokurorja për anëtarët e Komisionit të Ligjeve, të cilët kërkuan më shumë informacion rreth hetimit të kësaj çështjeje.

“Po hetojmë ende Bashën”

Gjatë raportimit të saj në Komisionin e Ligjeve, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, veç dosjes “Gërdeci” u përqendrua edhe një tjetër çështje të rëndësishme që po hetohet nga institucioni i saj. Bëhet fjalë për hetimin e mënyrës sesi janë investuar paratë e taksapaguesve në rrugën Durrës-Kukës, çështje në të cilën është përfshirë dhe ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, i cili aktualisht mban postin e ministrit të Jashtëm. Kryeprokuroja tha se po zhvillohen hetime edhe për këtë çështje, por pa dhënë detaje të mëtejshme për fazën në të cilën ndodhen këto hetime.

Hetimi i Mediut gjysmagjel

Me gjithë deklaratat e kryeprokurores se do t’i shkohet deri në fund zbardhjes së tragjedisë së Gërdecit, hetimi në drejtim të ish-ministrit të Mbrojtjes vazhdon të mbetet ende pezull. Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se nuk është kryer asnjë veprim hetimor ndaj kreut të republikanëve, i cili aktualisht është pa imunitet. Mësohet se grupi hetimor që ka në dorë dosjen “Gërdeci” po përgatit materialet dhe kërkesat zyrtare, të cilat pritet t’u drejtohen institucioneve nga të cilat mund të merren informacione për ish-ministrin e Mbrojtjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›