E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezultatet e letërsisë, bum dhjetash në rang vendi

Kanë mbetur në provim, duke humbur shansin për të konkurruar në shkollat e larta vetëm 8.11 për qind e maturantëve

TIRANË - Ende nuk dihet nëse pyetjet e provimit të letërsisë për maturantët e sivjetshëm kanë qenë më të lehta, apo nxënësit kanë qenë më të përgatitur, por ajo që me siguri dihet, është që notat janë shumë herë më të larta. Një nga treguesit që dëshmon për këtë, është rritja e numrit të nxënësve të vlerësuar me notën 10 në krahasim me vitet e mëparshme. Duke qenë se si vjet, ashtu edhe sivjet janë testuat përafërsisht një numër i barabartë maturantësh, rreth 31 mijë, një krahasim i thjeshtë mund të bëhet. Vetëm në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet, dje u shpallën 18 dhjeta, ndërsa vjet vetëm një maturant i kësaj shkolle mundi të gëzohej me notën maksimale. Maturantët, të cilët janë të interesuar për të ditur rezultatet që kanë arritur në këtë provim, mund t’i gjejnë ato pranë shkollave përkatëse nëpër rrethe, të afishuara që nga dita e djeshme. Kështu kanë marrë nota të nivelit mesatar (7-8) rreth 13 mijë nxënës, ose 40,81 për qind e sasisë totale. Ndërsa nota 5 dhe 6 kanë marrë rreth 12 500 nxënës, ndryshe 39,15 për qind e sasisë totale. Pas përfundimit të procesit të korrigjimit të testeve në katër qendrat e vlerësimit në Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Fier, ka filluar që dje pasdite printimi i rezultateve në nota të nxënësve dhe shpërndarja e tyre nëpër drejtoritë arsimore rajonale, prej ku do të nisen për afishim nëpër shkolla. Tanimë pritet vetëm të përllogaritet, së bashku me notën e provimit të matematikës dhe atë të lëndëve me zgjedhje, afria me mesataren e çdo maturanti, që duke gjykuar nga notat e letërsisë, duhet të jetë goxha më e lartë sesa ajo e shokëve të tyre të vjetshëm. Gjithsesi, ajo që mund ta gjykojë më mirë situatën, është fitorja e degës së përzgjedhur sa më lart në formularin A2 për cilindo kandidat. 

Humbasin shansin për në auditorë

Por për sa i përket numrit të mbetësve, rezultatet janë sërish shumë shpresëdhënëse. Kështu, sipas drejtuesve të “Petro Nini Luarasit”, sivjet janë marrë vetëm 2 nota jokaluese, njëlloj sa edhe vjet. Shkalla e kalueshmërisë në rang vendi për lëndën e letërsisë është 91.89 për qind, përqindje kjo më e lartë se ajo e vitit të kaluar. Vetëm 8.11 për qind e maturantëve do t’u duhet t’i nënshtrohen sërish këtij testimi vitin e ardhshëm, në mënyrë që të marrin diplomën e studimeve të shkollës së mesme, apo të synojnë për më lart.

 Niveli i maturantëve sipas notave

Kanë marrë nota të nivelit 5-6 gjithsej 12 483 nxënës d.m.th 39,15 për qind e sasisë totale.

Kanë marrë nota të nivelit 7-8 gjithsej  13 011 nxënës d.m.th 40,81 për qind e sasisë totale.

Kanë marrë nota të nivelit 9-10 gjithsej 3800 nxënës d.m.th 11,92 për qind e totalit të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›