E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefi i EULEX: Kemi arritur shumë suksese në Kosovë

Misioni i EULEX-it në Kosovë, misioni më i madh civil që është miratuar ndonjëherë nga Bashkimi Evropian, të mërkurën shënon përvjetorin e parë të punës së vet. Misioni i shtrirë në tërë Kosovën, ka filluar të veprojë me 9 dhjetor 2008, ndërsa në muajin prill 2009 ka filluar të veprojë me kapacitetin e tij të plotë. Me përafërsisht tremijë punonjës, EULEX-i po punon për të përmirësuar sundimin e ligjit në Kosovë, posaçërisht në fushën e Drejtësisë, Policisë dhe Doganës.

 Pa dyshim, ky ka qenë një vit me sfida. Por kemi pasur një fillim të mbarë. Ne tanimë kemi arritur shumë suksese. Por ende kemi një rrugë të gjatë para nesh dhe ne duhet të qëndrojmë të vëmendshëm dhe të vendosur, deklaroi Shefi i misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon. Njëri nga zhvillimet më të rëndësishme ka qenë raporti fillestar i përgatitur nga Zyra Programore e EULEX-it. Raporti i tyre i publikuar në verë 2009, ka qenë vlerësimi më gjithëpërfshirës që është bërë ndonjëherë për gjendjen në sistemin e drejtësisë, policisë dhe doganës së Kosovës. Bazuar në atë raport, dhe punën tjetër, EULEX dhe institucionet vendore kanë paraqitur një gamë të tërë të projekteve në mënyrë që institucionet e Kosovës për sundim të ligjit mund të zhvillohen në muajt apo vitet në vijim. Ne kemi punuar mjaft mirë me autoritetet vendore. Sikurse ne, ata janë të përkushtuar në përmirësimin e sistemit të drejtësisë, policisë dhe doganës për ti arritur standardet Evropiane. Ne shpresojmë të vazhdojmë këtë partneritet të rëndësishëm edhe në të ardhmen, deklaroi Yves de Kermabon.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›