Hiqen vizat për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë
Në mesnatë hyri në fuqi heqja e vizave nga Bashkimi Evropian për shtetasit e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Heqja e vizave u ofron këtyre shtetasve lëvizje të lirë në zonën e Shengenit, që përfshin 25 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe 3 vende që sbëjnë pjesë në BE, Islandën, Norvegjinë dhe Zvicrën. Dy vendet e Bashkimit që nuk përfshihen në Shengen janë Britania dhe Irlanda. Heqja e vizave eliminon për shtetasit e Serbisë, Malit të Zi dhe
Maqedonisë një nga elementët më irritues për shtetasit e Evropës Lindore në komunikimet me vendet e Evropës Perëndimore. Kërkesat për viza janë kritikuar prej kohësh nga shumë analistë, që i shohin si pengesë ndaj planeve të Bashkimit për ta integruar rajonin e Ballkanit Perëndimor në bllok. Këtë javë, banorët e Beogradit thanë se e mbështesin këtë hap dhe mirëpresin lehtësirat që ofron kjo masë për të afërmit që mund të udhëtojnë pa problem jashtë shtetit. Për 40 vjet radhazi, shtetasit e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë udhëtonin pa viza në Evropën Perëndimore si republika të Federatës Jugosllave, i vetmi vend komunist që u lejonte shtetasve të tij lëvizje të lirë jashtë vendit. Kërkesat për viza u vendosën në vitin 1991 me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë. Sllovenisë dhe më pas Kroacisë iu ofrua heqja e kërkesave për viza. Tani kjo masë përfshin edhe Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Nga vendet e Ballkanit, BE-ja vazhdon të mbajë kërkesat për vizë vetëm për Shqipërinë, Bosnjën dhe Kosovën, të cilën ende nuk e kanë njohur të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.