E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fishekët, pyeten 4 zyrtarë të Pentagonit

Komisioni për Mbikëqyrjen dhe Reformën i Kongresit amerikan zhvilloi dje një seancë lidhur me arsyet që çuan në dhënien e kontratave kompanisë AEY me qendër në Miami, e cila blinte municione nga Shqipëria për t’i dërguar në Afganistan. 

ILIR IKONOMI/  Washington

Komisioni mori në pyetje 3 zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes që merren me kontraktimin e armëve, William Phillips, Mitchell Howell dhe Jeffrey Parsons dhe 1 zyrtar i Departamentit të Shtetit, Steven Mull, ndihmës sekretar i shtetit në detyrë për çështjet politiko-ushtarake. Ligjet amerikane ndalojnë shitblerjen e armëve apo municioneve të prodhimit kinez dhe kompania AEY akuzohet se, ka qenë e përfshirë në blerjen dhe transferimin e këtij lloj municioni, që mbahej në depot e Shqipërisë. Një nga pyetjet kryesore që shtroi në seancë kryetari i komisionit Henry Waxman ishte se si ka mundësi që një kompani e drejtuar nga një 21-vjeçar të fitojë një kontratë prej 300 milion dollarësh për furnizimin me municion të forcave afgane. Zoti Waxman tha se komisioni ka tani informacione të shumta se çfarë nuk funksionoi kur kontrata iu dha kompanisë AEY në janar të vitit 2007. Ne e dimë, tha ai, se municioni i lëvruar nga kjo kompani ishte i papërdorshëm dhe se një pjesë e mirë e tij ishte i prodhimit kinez. Kontrata e qeverisë me këtë kompani u pezullua këtë vit, pasi kompanisë AEY i ishin paguar 60 milionë dollarë. Kemi mësuar gjithashtu, tha kryetari i komisionit, se ekzistojnë pikëpyetje lidhur me rolin e ambasadës amerikane në Shqipëri në përpjekje për të fshehur origjinën kineze të municionit që blihej nga kompania AEY. Zyrtarët ushtarakë që dëshmuan në fillim të seancës thanë se kontrata me kompanisë AEY ishte bërë në përputhje me rregullat por, thanë ata, nevojitet që në të ardhmen të forcohen standardet e kontrollit për këto kontrata. Anëtarja e Komisionit, përfaqësuesja e Washingtonit në Kongres, Eleanor Norton tha se të gjithë personat e përfshirë në blerjen e municioneve nga Shqipëria ishin në listën e njerëzve nën vëzhgim, listë që përfshin emrat e atyre që janë marrë me tregti të paligjshme armësh. “Burimi i municioneve ishte firma shtetërore shqiptare, MEICO me drejtor Ylli Pinarin. Ai është futur për herë të parë në këtë listë në vitin 2005”, tha zonja Norton. Në listën e personave nën vëzhgim ishin edhe Efraim Diveroli i futur aty në vitin 2006, si dhe firma e tij AEY që në vitin 2005. Po ashtu, edhe ndërmjetësi Henry Tomei ishte futur në listë që në vitin 2006. Departamenti i Shtetit po mbledh informacione për dyshimet ndaj ambasadorit Widhers. Seanca ishte pritur me interes, sidomos për një letër që kryetari i këtij komisioni, Henry Waxman i ka dërguar Sekretares amerikane të Shtetit Kondoliza Rajs, ku hidhte dyshime mbi ambasadorin amerikan në Tiranë, John Withers, se ka gisht në fshehjen e origjinës së municioneve që bliheshin në Shqipëri. Gjatë seancës ndihmës sekretari i shtetit në detyrë për çështjet politiko-ushtarake, Steven Mull nuk pranoi të komentonte lidhur me këto njoftime. Por duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarit të Komisionit Bruce Braley, ai tha se Departamenti i Shtetit ka në plan t’u përgjigjet këtyre akuzave serioze përmes kanaleve të duhura, pasi të grumbullojë informacionin e duhur. Megjithëse nuk pranoi të jepte hollësi, zoti Mull tha se çdo shkelje e ligjit amerikan do të ishte e papranueshme. Komisioni ka intervistuar në fillim të muajit atasheun ushtarak të ambasadës amerikane në Shqipëri Larry Harrison, i cili flet për një takim të zhvilluar në nëntor të vitit të kaluar mes ish-ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe ambasadorit amerikan në Tiranë, John Withers e zyrtarëve të tjerë të ambasadës. Sipas majorit Harrison, ambasadori Withers e miratoi idenë që të hiqeshin të gjitha arkat me municion kinez nga objekti që do të vizitonte gazetari. Gjithnjë, sipas dëshmisë së majorit, zoti Withers u shpreh në atë takim se heqja e municionit kinez do të lehtësonte dyshimet për shkelje ligji. Letra e zotit Waxman drejtuar Sekretares së Shtetit Rajs lë të kuptohet se ambasadori Withers e dinte që municioni ishte i prodhimit kinez. Gjithashtu, në letër thuhet se në përgjigjet e ambasadës amerikane ndaj pyetjeve të komisionit bëhet përpjekje për të fshehur takimin e nëntorit 2007. Dje, kryetari i Komisionit Waxman ka bërë një kërkesë tjetër për dokumente shtesë dhe për takimet e diplomatëve të ambasadës dhe zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes.

Agjencitë federale amerikane, edhe shtatë kontrata të tjera me Diverolin

SHBA- Historia e tregtisë së armëve të AEY, drejtuar nga një 22-vjeçar nga Majami, i cili u arrestua javën e kaluar, po përkeqësohet çdo minutë e më shumë. Katër zyrtarë të qeverisë dëshmuan dje në “Capitol Hill” mbi mënyrën sesi kompania përfundoi një kontratë 300 milionë dollarësh me ushtrinë amerikane, duke siguruar dhe dërguar armë ilegale dhe të skaduara për ushtrinë afgane. Deri tani, zyrtarët nuk kanë diskutuar ende mbi mbulimin e dyshuar të Departamentit të Shtetit. Por ata diskutuan mbi kontratat e mëparshme të AEY me qeverinë dhe gjërat nuk duken mirë. Në deklaratën e tij hapëse, kongresmeni Henry Waxman tregoi një sërë problemesh të mëparshme që ushtria kishte pasur me AEY. Dokumentet e paraqitura nga Komiteti tregojnë se agjencitë federale kishin mbyllur, tërhequr apo eliminuar të paktën shtatë kontrata të mëparshme me AEY. Nën këto kontrata, AEY ka siguruar helmeta të pasigurta për forcat tona në Irak, ka dështuar në shpërndarjen e mijëra armëve dhe ka dërguar municion me cilësi të dobët për forcat speciale amerikane. Zyrtarët kontraktues të qeverisë vazhdimisht kanë paralajmëruar për “cilësi të ulët”, “mallra të dëmtuara”, “armë vjetërsira” dhe pajisje të tjera në “kategorinë refuzuese”. Dhe ata janë ankuar se kompania vazhdimisht angazhohej në taktika “sulmo dhe tërhiqu” që po “dëmtonin misionin”. Një zyrtar kontraktues na tha: “Unë thjesht nuk i besoj atij djali. Nuk mund të besoja asgjë që ai tha”. Ai na tha se AEY ishte kompania e vetme më e keqe me të cilën ai kishte bërë marrëveshje për në Irak, duke cituar: “Ajo ishte limoni që duhet ta nxirrja nga limonada ime”. Megjithatë, zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes argumentuan se regjistrimet e mëparshme për AEY mbetën të pastra, pasi pjesërisht problemet e mëparshme nuk përfshinin kontrata të mëdha sa për të hyrë në kërkesat aktuale të raportimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›