E Diel, 1 Nëntor 2026

ÇILIETA

Edison Ypi 

Çilieta, Dëgjo të them disa gjëra, Kohët e liga si kjo që po kalojmë, sipas një mekanizmi të ndrequr pak nga pak gjatë përvojave të dhimbshme shekullore, brenda gjakut të trupit të shoqërisë njerëzore, prodhojnë anti-helme kundërshtuese balancuese Përndryshe qytetërimi do ishte shembur me kohë. Ky mekanizëm edhe tek ne natyrisht ekziston dhe vepron. Funksionon kështu; Kohët normale, përderisa janë të tilla, janë mjaftueshmërisht të ekuilibruara. Sa më anormale të jetë koha në tërësinë e saj, aq më të mprehta, aq më të shkathëta, të zhdërvjellëta dhe inteligjente, duhen dhe janë reagimet ekuilibruese specifike. Si dhe po aq më të rrezikshme dhe heroike sfidat për individët që marrin përsipër këto aksione korrektuese gjigante. Natyrisht e gjitha ka një kufi. Kufiri shfaqet kur koha është përsosmërisht e zezë dhe nuk mundëson as korrektime as korrektuesa. Por kjo quhet Diktaturë. Koha jonë diktaturë nuk është. Por, plot e përplot me hajdutë, me gërdeca që shpërthejnë dhe njerëz që i zë miniera, tipare diktature ka. Një nga hallkat më të rëndësishme, më prezente, më aktive, më vitale, të mekanizmit të sotëm zbutës korrektues je pa dyshim Ti Çilieta.
Nuk je e vetme. Por rasti yt është i jashtëzakonshëm.
Sepse Ti rrjedh nga raca e shqiptarëve pasionantë shpërthyes.
Kam në këtë çast një padurim, një hov, një ngut të papërmbajtur të kujtoj një episod unikal, gjenial, heroik racor, nga rinia e babait tënd, bijë e denjë e të cilit Ti je. Babain tënd nuk e kam njohur nga afër. Ta njoh kam dashur. Dhe mundësi kam pasur. Por nuk kam guxuar. Nuk kam guxuar ashtu si nuk guxojmë t’i afrohemi gjërave të shenjta nga frika mos prishet magjia. Megjithatë, ashtu nga larg, era disa gjëra në vesh m’i solli. Një nga këto bamirësira që më bëri era është ky episod pasionant, trimëror, vetësakrifikues, madhështor.
Vite më parë, kur yt at’ ishte i ri pra, me një gjimnaziste n’sevda na kishte ra. Duke u djegur i tëri mes flakëve të etheve të sevdasë, a e di një ditë i shkari ç’bëri ?! U ngrit herët në mëngjes. E spërkati me ujë dhe e fshiu me fshesë, krejt distancën, nga porta e shtëpisë së të vluarës në një rrugicë labirintike plot’ flakë të fshehta pasioni të ndrydhur, centimetër për centimetër, deri tek porta e gjimnazit ! Pastaj iku vrap mori një pajton. E solli pajtonin në rrugicën e flakëve para portës së etheve. Çfarë ndodhi më vonë unë nuk e di. Madje edhe kaq sa më solli era, mund të jetë jo fort e vërtetë, pakëz e ndryshuar apo stilizuar. Por s’ka asnjë rëndësi. Kaq mjafton dhe tepron për të provuar se yt at’ ishte një gjeni’. Aq gjeni’ sa nuk ekziston shembull për ta krahasuar. Nuk mund të bëhen krahasime për këto raste. Ishte kohë shumë shumë e zezë Çilieta. E di çfarë ndodhte ?! E merr dot me mënt ?! Vajzat cilësoheshin “goca të mira” në përpjesëtim të drejtë me sa më të pa bukura të ishin ! Për atë që bëri yt’ at’, edhepse brenda saj përfshiheshin pasioni, bukuria, pastërtia, dashuria, të fusnin në burg. Sepse për të gjitha këto, koha predikonte, kultivonte, impononte urrejtje. Prandaj, mes gjith’ asaj skëterre, të bëje atë që bëri Ai, duhej aq guxim, aq trimëri, aq pasion, aq vrull, aq shkarje, aq çartallosje, sa nuk ta rrëfej dot as un’ askush. Ai episod i vetëm në dukje aq modest, sot gati i pabesueshëm, ishte aq heroik, aq gjenial sa un’ mund të them pa fare droje se babai yt ishte një Galile’ apo Kopernik që u bëri të ditur shqiptarëve të vërteta të thjeshta themelore lidhur me keqkuptime kozmike. Pa folur këtu për xhaxhain tënd që edhe ay ishte një Dendy i klasit të parë i pa konkurrueshëm ende sot nga masa e guximit dhe çartallosjes. Dua të them se raca jote është e gjitha e përshkuar tejembanë nga shkarja hyjnore, bukuria, dashuria. Se vërtet thuhet se bota përsoset përmes bukurisë. Por bukuria është si floriri. Nuk vjen vet’. Që të bëhet e dobishme duhet kërkuar ku është fshehur. Duhet pastruar nga baltërat. Duhet rafinuar. Pastaj bartur, derdhur në kallëpe. Dhe vetëm në fund fare pas gjithatyre lodhjeve mund të gdhendet për të përgatitur perlat që shkohen nëpër gjerdanët me të cilët mbulohen gjokset e femrave. Këto nuk i bëjnë dot njerëzit dosido. Por vetëm të çarturit si babai dhe xhaxhai yt, të cilët paguajnë çmimin përkatës; rreziqet, vuajtjet, lodhjet, sfilitjet, privacionet etj.
Tani Ti këndon dhe vallëzon. Shumë mirë bën. Kurrë mos u ep. Kurrsesi mos u ndal. Është e vërtetë se mesazhet e tua janë të thjeshta. Por edhe këtë mos e kij fare problem. Nuk po i futem ta spjegoj, sepse është deridiku e ndërlikuar, por rasti yt është i jashtëzakonshëm edhe nga pikëpamja se nuk ka dhe aq rëndësi produkti yt, por prezenca, ekzistenca jote. E thënë shkurt, e gjitha ka lidhje me faktin e madhërishëm se Ti je e vërtetë. Dhe e vërteta është e thjeshtë. Sepse e thjeshtë, fjalë pakë, madje memece, është vet’ Dashuria. S’ka gjë më madhështore në këtë botë sesa të qenët i vërtetë dhe i thjeshtë. Kjo është arsyeja që një fjalë apo një gjest i yti godet, mbahet mënt, dhe prandaj edhe vlen, vlen realisht, faktikisht, objektivisht, më tepër se, për shembull, qindra faqe të shkruara opinionbërësisht të ndërlikuar kotmëkot dhe të padobishëm për ibret. Pse ? Sepse të shitur. Dhe rrjedhimisht të pa vërtetë.
Më lejo t’i kthehem edhe një herë racës dhe prejardhjes të cilave u besoj; Ti dhe raca jote, Ti dhe yt’ atë, nga babai tek bija, në mënyrë simetrike nga një kohë në tjetrën, nga një brez tjetrin, nga errësira në dritë, nga skllavëria në liri, jeni kundërshtarët më të ndritur, sfiduesit më të mëdhenj, të fatkeqësive më të mëdhaja që na kanë pllakosur, të padrejtësive më të përbindshme, të  karagjozllëkut kriminal pushtetar të së djeshmes dhe të së sotshmes.
Prandaj Ti, luftën, e bashkë me luftën edhe Parajsën, e ke të fituar.
Më kanë thënë që mban një Kuran në çantë ! Këtë s’dua ta besoj. Se po ta besoja s’është çudi nga entuziazmi në çast do çmendesha.
Tefta Tashko Koço ka qenë një këngëtare e madhe shqiptare. Sigurisht ! Mirëpo ajo ka jetuar jashtë Shqipërisë ! Çilieta, unë guxoj ta them; Tefta ka qenë më e sofistikuar se Ty. Por meqenëse puna e secilit matet vetëm me afërsinë dhe dobinë ndaj popullit të vet, dhe këtij rregulli nuk i bishtnojmë dot, ajo ka qenë më pak e vlefshme se Ti.
Çilieta, mund të ketë shqiptarë të cilëve Ti nuk u pëlqen. Mos u mërzit. Ata janë bastardë Ti je bijë pasioni, ata janë të errët Ti e ndritur, ata janë të shëmtuar Ti e bukur, ata të mërrylët Ti buzagaz, ata zavzekë Ti e përmbajtur, ata zvarriten Ti vallëzon, ata vjedhin Ti këndon, ata urrejnë Ti dashuron.
edisonypi@gmail.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›