E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vota dhe krimi

Skënder Minxhozi 

Këto ditë qeveria Berisha mbush tre vjeç. Më saktë, tre vjetët i feston maxhoranca, nga e cila ka dalë qeveria. Gjithsesi ky është moment ku shumëkush në media dhe opinionin publik jepet pas shkencës subjektive të bilanceve, duke vënë përballë premtimet e 3 korrikut 2005, me realitetin e verës 2008, gjuhën e mitingjeve, me atë të projektligjeve, vendimeve dhe përgjithësisht të menaxhimit të shtetit nga kjo shumicë. Sipas krahut dhe humoreve politike, kemi dy palë virtuale – njëra që sheh gjysmën plot të gotës dhe tjetra, që sheh gjysmën bosh.
Deri këtu gjithçka i ngjan një loje demokratike klasike, me pro-të dhe kundrat ndaj një kabineti qeveritar, në CV-në politike të të cilit, ftesa në NATO rri pranë e pranë me tragjedinë e Gërdecit. Ka megjithatë një sforcim të dukshëm të kryeministrit për t’u fokusuar tek ftesa dhe për ta anashkaluar me stoicizëm shpërthimin e 15 marsit, paçka se tashmë këto dy ngjarje madhore, njëra për të mirë e tjetra për të keq, janë kthyer në gurët kilometrikë nëpër të cilët kalon rruga për në zgjedhje.
E kur flitet për zgjedhjet, rëndom ato konsiderohen si momenti i të vërtetës, si bankoprova supreme, si gjyqi final. Në rastin e qeverisë Berisha, apo më mirë në rastin e atyre që e kontestojnë sot punën e saj, po merr formë një qëndrim i përgjithshëm pritës, i cili lidhet kryekëput me verdiktin e zgjedhjeve. Kjo rrymë mendimi, pjesë e të cilës është bërë në mënyrë të heshtur edhe opozita (kreu i saj Rama për të qenë më të saktë), predikon pritjen, qëndrimin urtë dhe largimin nga opozicioni i ashpër, deklamativ dhe i fortë, në këmbim të një linje politike që kërkon më shumë debatin në distancë dhe përplasjen elegante, sesa kumtimin e fortë të disa të vërtetave të pakëndshme për qeverisjen e sotme. PS mesa duket beson verbërisht tek zgjedhjet e ardhshme dhe rezultati që do të dalë prej, po aq sa beson edhe tek pikët që po u jep qëndrimi në kufijtë e opozite të tërhequr dhe deri diku komode për Kryeministrin Berisha.
Këto janë ndoshta llogaritë e partive më të madhe të opozitës dhe askush nuk ka të drejtë t’i paragjykojë. Si sot një vit, ata (socialistët) do të korrin atë që po mbjellin sot, në të mirë apo në të keqe. Çështja është në fakt një tjetër dhe nuk ka të bëjë vetëm me pikët e partive në zgjedhje apo fatin e lidershipit të tyre. Problemi që shtrohet sot në shoqërinë shqiptare, më shumë sesa me rezultatin numerik të zgjedhjeve politike, ka të bëjë me vënien ose jo në vend të disa deformimeve skandaloze në qeverisje, të cilat dalin dukshëm nga sinorët e përgjegjësisë politike, duke prekur ato të ligjit dhe Kodit Penal.
Për të qenë më konkretë, a mund të dënohet krimi shtetëror i Gërdecit me votën e vitit të ardhshëm?! A mundet që jetët njerëzore dhe shkatërrimi masiv i pronës të marrë një dënim vetëm “elektoral”? Po kontrabanda hileqare e armëve me Afganistanin, e cila ka çuar në burg disa vetë tashmë në SHBA, a mund të marrë vetëm ndëshkim “politik” për qeverinë shqiptare? Më në fund, a mundet që abuzimi prej miliona euro i rrugës Durrës-Kukës të marrë vetëm një votë politike kundër dhe jo një dënim penal për përgjegjësit e tij? Këto pyetje kanë mbetur deri sot pa përgjigje më së shumti për shkak të një lufte opozitare memece dhe të shurdhët. Ato ndodhen të zëna në ngërçin e një kalkulimi politik mes palëve, i cili si çdo kulisë e këtij lloji ka të metën e madhe që zakonisht i le fajtorët të padënuar.
Krimi, cilido qoftë ai, financiar apo ordiner, politik e i organizuar, apo spontan e i papritur qoftë, duhet të marrë një dënim, që s’mund të jetë kurrsesi vetëm politik dhe elektoral. Në çdo cep të botës paguhet kur shkelen ligjet. Natyrisht ata që janë në pushtet, përbëjnë jo rrallë një specie që ka një farë imuniteti ndaj dënimit, por në asnjë mënyrë nuk është e pranueshme ajo që ndodh në Shqipëri, kur rregullisht të qenit në majën e karros së pushtetit, përbën automatikisht imunitet dhe paprekshmëri. Nëse opozita ka planifikuar që të vijë në pushtet më shumë si “frymë kristiane”, sesa si projekt e vullnet konkret për të bërë punën e saj në demaskimin e gabimeve të kundërshtarit, kjo s’do të thotë aspak që drejtësia, e bashkë me të mediat dhe opinioni publik, të përdorin taktikat dhe standardet e lojës politike. Krimi nuk mund të presë që të ndëshkohet me votë. Një dënim i tillë do të ishte i mangët dhe jotransparent. Krimi duhet ndëshkuar me forcën e ligjit. Pak a shumë me të njëjtin mjet që zoti Berisha na e tregon në çdo qytet ku shkel, kur deklamon me pathos të pasinqertë se do të përdorë prangat në luftën kundër korrupsionit. Mirë që kryeministri nuk e ka sinqerisht dhe seriozisht, po ata që duhej ta kishin, përse bëjnë sikur nuk dëgjojnë e nuk shohin?!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›