E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e gruas, pranga të shoqit

 

Fatos Mahmutaj

Për dy vjet me radhë Prokurorisë së kryeqytetit i është dashur që veç hetimeve për vdekjen enigmatike të Mimoza Gogës, të përballej me presionin e bashkëshortit të viktimës. Dy ditë më parë, në bazë të vendimit të Gjykatës së Tiranës, policia ka shtrënguar prangat në duart e 31-vjeçarit Petrit Goga, ish-bashkëshort i viktimës, i cili dyshohet të jetë pikërisht personi që ka shtyrë drejt vetëflijimit 29-vjeçaren Mimoza Goga. Dy vite më parë Prokuroria mbylli dosjen si vetëvrasje për mungesë provash. Rihetimi i ngjarjes është iniciuar nga vetë i arrestuari, i cili mendohet se për të larguar vëmendjen nga vetja, ka akuzuar kunatën si shkaktare. Nga ana tjetër, kunata dhe vëllai i tij janë personat që e kanë denoncuar në polici të arrestuarin, duke dhënë shpjegime të hollësishme për ngjarjen. Sipas Prokurorisë, Petrit Goga me anë të dhunës së vazhdueshme ka shtyrë të shoqen drejtë vetëvrasjes, e cila ka gjetur vdekjen pasi është hedhur në pus. Gjithçka ka nisur më datë 23 mars 2007, kur Mimoza kishte shtruar djalin në spitalin e fëmijëve. Bashkë me djalin e saj, në të njëjtën dhomë të spitalit gjendej i shtruar dhe një djalë tjetër nga Bulqiza, i cili ishte i shoqëruar nga prindërit. Pas disa ditësh Petriti ka shkuar në spital për të takuar të birin. Brenda dhomës ka parë dhe prindërit e fëmijës tjetër, të cilët kishin kaluar natën në këtë dhomë. Sapo mori vesh këtë gjë, nga xhelozia, Petriti ka nisur të debatojë me të shoqen duke e ofenduar rëndë. Personeli mjekësor, për të shmangur grindjen e mëtejshme, ka ndërruar dhomën e fëmijës së tyre, duke e kaluar atë në një dhomë të veçantë. Më 2 maj 2007, Petriti e Mimoza kanë nxjerrë djalin nga spitali dhe kanë shkuar për një vizitë te babai i Mimozës. Atje viktima ka takuar motrën e saj, të cilës i ka treguar të gjithë ngjarjen që kishte ndodhur në spital. Gjatë bisedës, Mimoza i kishte treguar motrës frikën që e kishte kapur, pasi frikësohej se po të shkonte në shtëpi, burri do ta vriste. Po kështu kunata e viktimës, F. Goga, e cila është akuzuar nga i arrestuari, gjatë marrjes në pyetje ka shpjeguar se banonte në një banesë me Mimozën dhe Petritin, në dhoma të ndara. Ajo ka deklaruar se më datë 4 maj 2007, rreth orës 03:00, është zgjuar nga gjumi për të shkuar në tualet, që ndodhej jashtë banesës. Në korridor ajo ka dëgjuar Mimozën duke qarë dhe Petritin që e rrihte. Dhuna dhe të qarat kanë vazhduar edhe kur kthehej në dhomë, ndërsa pohon se ka dëgjuar Petritin që i ka thënë Mimozës: "Kur të kthehem nga puna mos të të gjej më në shtëpi". Më tej kunata pohon se i ka thënë burrit të saj se çfarë kishte dëgjuar, kurse ai, i quajtur Ramazan Goga nuk ka reaguar fare, duke u shprehur se nuk mund të ndërhynte në punët e tyre të brendshme familjare. Ditën që Mimoza është gjetur e mbytur në pus, Ramazani ka urdhëruar të shoqen që të mos tregonte në polici se i vëllai kishte ushtruar dhunë ndaj saj, në të kundërt ai e kishte kërcënuar me divorc, fakt të cilin e ka pranuar edhe vetë Ramazani në prokurori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›