E Martë, 3 Nëntor 2026

Shefi i Wagner shfaqet për herë të parë pas tentativës për grusht shteti në Rusi

Shefi i grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin është shfaqur në një video për herë të parë pasi dështoi revolta e tij në Rusi dhe duket se ndodhet në Afrikë.

Videoja është postuar në Telegram, ku Prigozhin shfaqet me pajisje luftarake, teksa thotë se grupi “Wagner” po e bën Afrikën “më të lirë”. Në video, Prigozhin thotë se “Wagner” po eksploron për minerale, si dhe po lufton militantët islamikë dhe kriminelët e tjerë.

“Ne jemi duke punuar. Temperatura është mbi 50 gradë. Wagner kryen veprime zbulimi dhe e bën Afrikën edhe më të lirë. Drejtësi dhe lumturi, për popullin afrikan, ne po ja bëjmë jetën makth ISIS (Shteti Islamik) dhe Al-Kaedës“, thotë Prigozhin.

“Wagner” besohet se ka mijëra luftëtarë në kontinent, ku ka interesa biznesi fitimprurës. Ushtarët e Prigozhin janë të shpërndarë edhe në vende të tjera duke përfshirë Malin dhe Republikën e Afrikës Qendrore, ku grupet e të drejtave të njeriut dhe OKB-ja i akuzojnë ata për kryerjen e krimeve të luftës.

Luftëtarët e “Wagner” janë akuzuar gjithashtu nga SHBA për pasurimin e tyre me marrëveshje të paligjshme ari në kontinent.

Prigozhin ka mbajtur një profil të ulët publik që kur kryesoi kryengritjen e tij jetëshkurtër në qershor, e cila zgjati vetëm 24 orë.

Rreth 5 mijë trupa “Wagner” morën kontrollin e qytetit jugor rus të Rostov-on-Don dhe u zhvendosën drejt Moskës, me qëllimin e deklaruar për të hequr udhëheqjen ushtarake.

Megjithatë, Prigozhin ndaloi përparimin pas negociatave me Kremlinin, të cilat u ndërmjetësuan nga udhëheqësi bjellorus Alexander Lukashenko.

Sipas një marrëveshjeje për t’i dhënë fund kryengritjes, akuzat kundër Prigozhin u hoqën dhe atij iu ofrua një “arratisje” në Bjellorusi./ BBC

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›