Shefit të IT-së së kryeministrisë i komunikohet masa e sigurisë
Gjykata Penale i ka komunikuar sot masën e sigurisë shefit të IT-së së kryeministrisë Armando Kasaj ndaj të cilit dy ditë më parë u morr masa “arrest shtëpie”. Prokuroria thekson se kamerate sigurisë ishin në gjendje pune dhe se personi nën hetim, Armando Kasaj, ka qëndruar në ambientet e Kryeministrisë pas orës 23.00 të datës 21 janar 2011 dhe dyshohet se ka fshirë të gjitha regjistrimet.
Gjithashtu gjykata do t`i komunikojë masën e sigurisë edhe Komandantit të Gardës Ndrea Prendi dhe shoferit të tij Margarit Kume të cilët gjithashtu kanë marrë masën e arrestit shtëpiak.
Në akuzën e ngritur nga Prokuroria, Ndrea Prendi ka konsumuar veprën penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim si dhe ka shpërdoruar detyrën. Ndërsa për shoferin e komandantit të gardës, Margarit Kume, prokuroria thekson se ai duke dashur të ndihmojë për të shmangur nga përgjegjësia ligjore Ndrea Prendin e ka ndryshuar tytën e pistoletës me të eprorit.
Dy ditë më parë Gjykata e Tiranës, ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për të tre këta persona ndërsa Prokuroria po grumbullon dokumenta shtesë për të forcuar qëndrimin e saj për të siguruar nga gjykata e apelit dërgimin e të pandehurve nga arrest shtëpiak në arrest me burg.