E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Më 15 nëntor votohet për pesë bashki e komuna

 

Presidenti i Republikës dekretoi datën 15 nëntor për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetarë në 5 njësi të Pushtetit Vendor. Procesi zgjedhor në këto njësi do të zhvillohet pasi drejtuesit e tyre të mëparshëm u zgjodhën deputetë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Kjo do të jetë përballja e parë elektorale mes PS-së dhe maxhorancës qeverisëse, pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Të gjitha këto bashki e komuna drejtoheshin nga përfaqësues të PD-së, me përjashtim të komunës Otllak, e cila drejtohej nga përfaqësuesi i LSI-së. Beteja pritet të jetë e fortë në njësinë bashkiake nr. 10, e cila deri më 2007 drejtohej nga socialistët, ndërsa ishte Bogdani ai që i ndryshoi ngjyrë asaj. Pikërisht në këtë njësi, socialistët do të synojnë të rikuperojnë rezultatin, që në njësitë e tjera duket më i vështirë për t’u fituar. Procesi i votimit do të zhvillohet në njësinë bashkiake nr. 10 në Tiranë për zgjedhjen e kreut të ri të kësaj njësie. Gjithashtu do të zhvillohen zgjedhje për kryetar të Bashkisë së Klosit në rrethin e Matit, për kryetar të bashkisë së Fushë Arrësit, për kryetar të komunës së Fierzës në Pukë, si dhe të komunës së Otllakut në Berat. Ndue Paluca, Bedri Hoxha, Gerti Bodgani, Besnik Dushaj dhe Lefter Maliqi, që të gjithë deputetë nga lista e Partisë Demokratike, kanë fituar mandatin e deputetit të Parlamentit të ardhshëm dhe nuk u njihet e drejta e ushtrimit të mandatit tjetër. Asnjëri prej këtyre drejtuesve nuk dha dorëheqjen paraprakisht, pra para se të hynin në garë. Këshilli i Rregullores dhe i Mandateve të Kuvendit të Shqipërisë nuk gjeti asnjë shkelje në shpalljen e mandateve të deputetëve në fjalë, duke e cilësuar mandatin e tyre në përputhje me Kushtetutën. Në këtë mënyrë, vendi vakant i tyre duhet të zëvendësohet me zgjedhje të reja në këto njësi vendore. Para fushatës, ashtu si dhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit, opozita kërkoi dorëheqjen e këtyre drejtuesve vendorë nga postet që mbanin, pasi sipas tyre, jo vetëm shkelin ligjin zgjedhor, por edhe po shfrytëzonin buxhetin vendor për të bërë fushatë. Gjatë zgjedhjeve të përgjithshme, vetëm të zgjedhurit vendorë nuk dhanë dorëheqjen nga detyra, ata vetëm ua kaluan drejtimin e njësisë zëvendësve të tyre. Ndërsa drejtues të tjerë, si prefektët dhanë dorëheqjen për t’u zëvendësuar menjëherë nga qeveria me emra të rinj. Kështu dhanë dorëheqje 2 prefektë, si ai i Gjirokastrës, Spiro Ksera dhe prefektja e Korçës, Elfrida Zefi. Të gjitha këto dorëheqje ndodhën në kampin e demokratëve. Ndërsa në atë të socialistëve u detyruan të lënë detyrën e tyre një prokuror dhe një drejtues gjykate, pasi nuk ua lejonte Kushtetuta kandidimin në listën shumëemërore, nëse vazhdonin t’i kryenin detyrat përkatëse. Kushtetuta detyron të gjithë personat me funksion gjyqtar, prokuror, ushtarak, diplomatë, prefektë, kryetarë të njësive vendore madje dhe Presidentin e Republikës të dorëhiqen nga këto poste, në momentin që shpallin kandidimin për deputet të Kuvendit të Shqipërisë. Debati për dorëheqjen e kandidatëve për deputetë, njëkohësisht kryetarë bashkish dhe komunash, u zhvendos gjatë fushatës dhe në KQZ. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, Genci Gjonçaj, e ka cilësuar rast flagrant të shkeljes së Kushtetutës nga disa drejtues të njësisë së qeverisjes vendore, të cilët nuk janë dorëhequr nga postet e tyre, edhe pse kanë kandiduar në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Sipas tij, këta drejtues, që po përpiqen të luajnë me dy porta, kanë në dorë të shkatërrojnë gjithë infrastrukturën zgjedhore, pasi mund të përdorin të gjitha mjetet publike në favor të tyre. “Kërkoj që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ushtrojë të gjitha kompetencat që i ngarkon ligji për të marrë masa ndaj atyre zyrtarëve të lartë, kryesisht të qeverisjes vendore, të cilët janë kandidatë për zgjedhjet e ardhshme të 28 qershorit dhe nuk kanë dhënë dorëheqjen nga postet e tyre”, theksoi Gjonçaj. Por në përgjigje të shqetësimit të tij, kryetari i KQZ-së Ristani është shprehur se kjo nuk është kompetencë e këtij institucioni, por e Komisionit të Mandateve të Kuvendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›