Shehi: Partitë e vogla duhet të kërkojnë ripërsëritje zgjedhjesh, ku u është vjedhur vota
Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, deklaroi se partia e tij do të ftojë të gjitha partitë e tjera të vogla të majta ose të djathta, të cilat nuk janë pjesë e parlamentit të ardhshëm, por që kanë prova që ju është vjedhur vota, të bashkohen për ti bërë një peticion KQZ-së, për të ripërsëritur zgjedhjet në disa prej qendrave të votimeve, ku kanë prova se ju është grabitur vota. Partitë të cilat nuk do të jenë më pjesë e parlamentit të ardhshëm janë PAA, PSD, PDS, PLL, PDK, LDK.
Shehi deklaroi se LZHK, përveç zonave në të cilat është bërë publike me kërkesën që i kanë dërguar KQZ, për të ripërsëritur zgjedhjet, janë edhe shumë zona të tjera në të cilat kjo parti ka humbur me qindra vota. Përveçse dy partitë e mëdha e masakruan këtë sistem zgjedhor duke miratuar një kod i cili nxori mjaftë parti jashtë loje, por këto dy parti vodhën dhe votat tona. LZHK kërkon me çdo kusht që të ripërsëriten zgjedhjet të paktën në ato zona ku ne kemi prova se na janë vjedhur qindra vota, sidomos nga Partia Demokratike, deklaroi Shehi. Sipas tij dy partitë e mëdha bënë çfarë mundën për të nxjerrë jashtë parlamentit të ardhshëm partitë të cilat ato i quajnë të vogla, por që zëri i tyre ishte shumë i fortë në parlament. Sipas kreut të LZHK-së, procesi i numërimit të votave degjeneroi, dhe për këtë arsye LZHK-ja ka ankimuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një ankesë për të përsëritur edhe një herë zgjedhjet në disa prej KZAZ-ve të vendit, ku LZHK dhe Poli i Lirisë pretendon se ju janë vjedhur votat. Ndër të tjera Shehi shtoi se të gjitha partitë e tjera të cilat kanë qenë pjesë e një koalicioni të majtë apo të djathtë, thjeshtë janë përdorur gjatë këtyre zgjedhjeve me qëllimin e vetëm që të përfitonin sa më shumë partitë e mëdha, ndërsa atë parti të cilën PD nuk e kishte në koalicionin e saj arriti që ti vjedhë votën. LZHK dhe Poli i Lirisë nuk kishin asnjë komisioner dhe kështu që ujqërit e PD-së i vodhën votën. Përveç votuesve të cilët treguan një kulturë me të vërtetë Evropiane, asnjë standard tjetër nuk u plotësua në këto zgjedhje, sepse politikanë tanë edhe pse me slogane të ndryshme dhe fytyra të reja në partitë e tyre, dhe me emra të rinj në radhët e tyre, treguan se nuk kanë ndryshuar dhe se nuk mund të rrinë pa i futur duart tek votat e shqiptarëve, u shpreh Shehi. Gjithashtu për vjedhje dhe manipulime votash ka patur ankesa nga shumë parti të vogla të cilat nuk kanë mundur që të marrin asnjë mandat, ku krerët e këtyre partive kanë bërë fajtor kodin dhe mungesë e komisionerëve të tyre në qendrat e numërimit të votave, ku të gjithë akuzojnë dy partitë e mëdha, të cilat sipas tyre janë fajtore sepse nuk ditën që ta administronin ashtu siç duhej procesin zgjedhor. Krerët e këtyre partive edhe pse kanë që prej datës 29 qershor që kanë dalë publikisht dhe ankohen se ju është vjedhur vota, akoma nuk kanë bërë një ankimim si LZHK dhe PR pranë KQZ-së. Sipas krerëve të këtyre partive akoma nuk ka dalë rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, dhe në momenti që ky rezultat do të bëhet publik atëherë do të rishikohet dhe mundësia për të parë edhe një herë gjendjen. Krerët e këtyre partive vazhdimisht janë ankuar se partitë e mëdha të koalicionit ku ato kanë bërë pjesë të majtë ose të djathtë, nuk e kanë respektuar koalicionin me partitë e vogla, sepse nuk e kanë ruajtur votën e aleatëve por e kanë vjedhur, sipas tyre partitë e mëdha në koalicion nuk e kanë ruajtur votën e këtyre partive të vogla por e kanë kaluar në favor të tyre. Gjithashtu të gjitha partitë po mendojnë që pas nxjerrjes së rezultateve nga KQZ, do të vendosin që të bëjnë të gjitha së bashku një ankimim në KQZ, për të ripërsëritur zgjedhjet në të gjitha ato zona ku kanë prova se ju është grabitur vota.