Xhuveli: Koalicioni PD-LSI, zgjidhja më e mirë
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste Lufter Xhuveli, përshëndeti koalicionin mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për bashkëqeverisjen e vendit në katër vitet e ardhshme. Xhuveli theksoi se realiteti politik, i krijuar pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ka diktuar nevojën e një koalicioni të ri, me bazë më të gjerë.
Kjo u konfirmua me ftesën që kryeministri Sali Berisha i bëri LSI-së dhe pranimit të saj nga kryetari i kësaj force, Ilir Meta, për të qeverisur me koalicion të përbashkët me PD-në, deklaroi Xhuveli. Ndër të tjera ai theksoi se kjo është zgjidhja më e mirë në vazhdimin e reformave dhe për të ecur me ritme të shpejta në rrugën e integrimit evropian, dhe se arritja e marrëveshjes PD-LSI është një hap pozitiv në emancipimin e mëtejshëm të politikës shqiptare. Xhuveli shtoi se PAA nuk pajtohet me qëndrimet konservatore të asaj pjese të politikës shqiptare, që në vend që të pranojë humbjen dhe të kontribuojë në kapërcimin e problemeve, kërkon të mbajë vendin të mbërthyer pas barrikadave politike. Ndërsa theksoi se PAA është pjesë e koalicionit "Aleanca e ndryshimit", i drejtuar nga Partia Demokratike, koalicion, i cili sipas rezultateve paraprake të KQZ-së, ka fituar 71 mandate në zgjedhjet e 28 qershorit, dhe se PAA do të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme.