E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI mban sot Konventën Kombëtare për negociatat në krijimin e qeverisë së re

Lëvizja Socialiste për Integrim, duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme të situatës që ka lidhje më vendimin politik të saj për të pranuar hyrjen në bashkëqeverisje, do të zhvillojë ditën e sotme, (e martë 7 korrik 2009), Konventën Kombëtare të Jashtëzakonshme, për të konsultuar dhe mandatuar vendimin e Kryesisë së LSI për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike, si dhe për të marrë mandatin për të negociuar për krijimin e qeverisë së re. Nëpërmjet një konference për shtyp, kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtare të LSI-së, Edmond Haxhinasto, ka deklaruar se kjo mbledhje thirret si rezultat i vendimit të kryesisë së LSI-së, për t'u bërë pjesë e qeverisë së djathtë pas zgjedhjeve të qershorit. Kryetari i LSI-së, zoti Ilir Meta, thërret ditën e martë, datë 7 korrik 2009, Konventën Kombëtare të Jashtëzakonshme, për të konsultuar dhe mandatuar vendimin e Kryesisë së LSI-së, për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike, si dhe për të marrë mandatin, e për të negociuar për krijimin e qeverisë së re, është shprehur Haxhinasto. Ky vendim sipas tij, është në konsultim me strukturat drejtuese të LSI dhe me partnerët tanë të huaj diplomatikë dhe partiakë; Dhe duke respektuar kërkesat statutore të funksionimit të brendshëm të LSI. Pas përfundimit të numërimit të votave, hedhja e të cilave u realizua një javë më parë, e djathta qeverisëse arriti të marrë një numër të konsiderueshëm deputetësh, por nuk siguroi dot fitoren e plotë. Nisur nga ky fakt, kryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht kryeministri Sali Berisha i ka parashtruar ftesën Lëvizjes Socialiste për Integrim, për tu bërë pjesë e koalicionit të ri qeverisës për të drejtuar së bashku vendin drejt integrimit në Bashkimin Europian. Pothuajse e menjëhershme ishte përgjigja e ardhur nga ana e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, i cili në një konferencë për shtyp theksoi se kryesia e LSI-së, kishte pranuar ftesën e kryeministrit Berisha për t'u bërë pjesë e qeverisë, e cila pritet të krijohet në fillim të muajit shtator.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›