E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur "injorohet" puna mendore

Sistemi i ri i taksimit për biznesin e vogël, për xhiro 2-8 milionë lekë në vit, me një tatim 10% mbi fitimin neto të tyre, ka çuar në rritjen e menjëhershme të detyrimeve tatimore që duhet të paguajë kontabilistët dhe shumë të tjerë si ai, që në thelb të aktivitetit të tyre kanë punën mendore. Ekspertët kontabël apo konsulentët do të mund të quajnë shpenzime vetëm amortizimin e kompjuterëve, letrat, qiranë apo pagat, por në to nuk do të përfshihet konsumi më i madh që kanë në fakt këto kompani: punën mendore. "Problemi kryesor është se puna mendore nuk vlerësohet si aktive, çka redukton shumë shpenzimet e njohura nga ana e tatimeve.

Për 2008-ën, sipas përllogaritjeve të mia, unë duhet të paguaj rreth 600000 lekë tatime, 4-fishin e shumës që unë kam paguar gjithë këto vite", thotë Agim Binaj, kontabilist. Puna mendore, që është kthyer tashmë në një diskutim mbarëkombëtar në botë, madje edhe në vendet më të zhvilluara të botës, as që konceptohet nga drejtuesit e tatimeve në vend. Sipas drejtorit të Drejtorisë Teknike në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Niko Lera, puna mendore nuk është një shpenzim material dhe nuk ka se si të përllogaritet nga specialistët e tatimeve. "Që nga 1 janari ka hyrë në fuqi skema e re e taksimit të biznesi dhe ne do të vjelim kontributet bazuar në të. Për të gjitha ato lloj biznesesh, si kontabilistë, konsulentë të ndryshëm, juristë e ekonomistë, do të përllogariten si shpenzime vetëm ato materiale, si kompjuterë, letër, qira etj., dhe jo puna mendore", thekson Lera.

Por ndonëse nga ana e tyre tatimorët konfirmojnë se puna mendore nuk do të përllogaritet si aktive, kontabilistët ankohen se kështu ata "ndëshkohen" padrejtësisht, duke paguar më shumë taksa. "Puna mendore është aktivi më i rëndësishëm në punën time dhe ajo nuk përllogaritet. Me taksat që unë do të duhet të paguaj, norma e fitimit e kompanisë time arrin deri në 60%, që është absurde për një aktivitet të tillë", thotë Binaj. Në fakt, vlerësimi i punës mendore si aktive për të gjitha subjektet që e kanë atë pjesën më të madhe të shpenzimeve është kthyer në një debat shumë të madh mbarëbotëror, duke përfshirë edhe një sesion të posaçëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për standardet e kontabilitetit. Megjithatë, ende asgjë nuk është zgjidhur. Për sa kohë puna mendore nuk do të llogaritet si shpenzim, shumë biznese do t‘i paguajnë shtetit taksa joreale. "Shërbimi që ne ofrojmë trajtohet si mall nga organet tatimore, atëherë edhe puna mendore që e krijon atë duhet të vlerësohet si aktive", thotë Binaj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›