E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehu: Gramozi, i gatshëm ta ndalë Lushnjën

Nga Kristi Lilo

Mbrojtësi i kolonjarëve, Ajet Shehu, thekson se ka ardhur momenti për të bërë kthesën, edhe pse kundërshtari është shumë i fortë

Po afron ndeshja me Lushnjën, e vlefshme për javën e 13-të të kampionatit, ku Gramozi synon të kthehet te fitorja. Është një ndeshje e vështirë nisur nga vlerat dhe ecuria e ekipit kundërshtar, por edhe faktit që kolonjarët do të luajnë në një stadium të boshatisur. Për Sportin shqiptar,qendërmbrojtësi kosovar i Gramozit, Ajet Shehu, është shprehur se ka ardhur momenti i fitores: E kemi të qartë detyrën tonë në këtë ndeshje.

Tri humbjet e fundit na kanë kushtuar shumë dhe nuk na lejohet të bëjmë një tjetër hap të gabuar. Është momenti më i mirë për të bërë autokritikë, pasi luajmë me një nga ekipet më të forta të kategorisë së parë, që kërkon superligën dhe ka plot 7 javë që fiton. Rikthimi te fitorja nuk arrihet vetëm me dëshirë, por me vlerësim të kundërshtarit, besim dhe përqendrim deri në minutën e fundit.

Përgatitjet që kemi kryer gjatë këtyre ditëve duhet ti konkretizojmë, duke zhvilluar një ndeshje të bukur, në fund të së cilës duhet të marrim 3 pikët. Tifozët janë të zhgënjyer dhe ne duhet të reagojmë, duke u dhuruar kënaqësinë e fitores me Lushnjën. Rezultatin pozitiv nuk presim të na e sjellë momenti, por do ta kërkojmë me ngulm dhe do të punojmë fort për të gjatë gjithë ndeshjes. Gjej rastin tu bëj thirrje shokëve për të hyrë në fushë me besim në vetvete. E përsëris, do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, jo vetëm se luajmë me një ekip pretendent, por do të na mungojë edhe tifozi ynë, ka përfunduar mbrojtësi Shehu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›