E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhani De Biazi, një “bankinë e argjendtë”

/* */

Pas 3345 ditësh nga largimi “tradhtar” i italianit Xhuzepe Dosena (16 tetor 2002) dhe 55 ditë pas prishjes konsensuale me kroatin Josip Kuzhe (20 tetor 2011), Kombëtarja shqiptare gjen trajnerin e ri, italianin 55-vjeçar Xhani De Biazi, një teknik me përvojë bankine nga viti 1992 dhe që në listën e tij ka emra të tillë si Torino, Breshia, Levante dhe Udineze.

Kështu, pas shumë përpjekjesh, një liste e gjatë kandidatësh (mbi 50 të përmendur), dy refuzimesh (kosovari Besnik Hasi dhe gjermani Lorenc Gynter Këstner) dhe takimeve në Vjenë dhe Milano të Presidentit të FSHF-së, Armando Duka, me pesë kandidatët italianë: Mario Beretën, Xhankarlo Kamolezen, Benito Karbonen, Xhuzepe Pilonin dhe Xhani De Biazin, Shqipëria do të ulë në bankinë trajnerin e nëntë të huaj që ka drejtuar kuqezinjtë dhe të gjashtin, që nga viti 2002, kur fillon edhe cikli i dytë i të huajve, qysh kur rusi Nikolaj Ljukshnikov drejtoi vendin tonë në vitin 1957, pavarësisht se zyrtarisht i fundit i huaj njihet hungarezi Miklosh Vadash, në atë miqësore të fituar bujshëm 2-0 kundër Polonisë, me 29 nëntor 1953, me golat e Loro Boriçit dhe Refik Resmjes.

Në 22 mars të vitit 2002, Xhani De Biazi fitoi në Itali çmimin “Bankina e argjendtë”, për ngjitjen e Modenës nga Seria C1 në atë B (“për lojën e shpejtë, dinamike, agresive dhe lojë me topa të ulët”), ndërkohë që “Bankinën e artë” e fitoi Fabio Kapelo, asokohe trajner i Romës. Çmimi u dha nga trajnerët profesionistë në “shkollën e futbollit italian”, Koverçano. Nuk ishte një çmim i zakonshëm, por një vlerësim i rëndësishëm, pasi ishte i dhënë nga kolegët e tij trajnerë, nga ata që e njihnin futbollin. Pak muaj më pas, në qershor po të vitit 2002, në Tiranë, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, do të nënshkruante me Xhuzepe Dosenën, duke i dhënë fund një periudhe gati 50 vjeçare me trajnerë shqiptarë (i fundit ishte Sulejman Demollari), por italiani i ardhur me bujë (dhe me nënshkrimin e një kontrate dyvjeçare prej 250 mijë dollarësh) u largua “fshehurazi” pas vetëm katër muajsh në drejtimin e përfaqësueses. Bepe e drejtoi përfaqësuesen në dy ndeshje miqësore (kundër Breshias dhe Kosovës) dhe dy zyrtare për Euro 2004-n, ato kundër Zvicrës (1-1) dhe Rusisë (1-4), përpara se ta braktiste Shqipërinë, menjëherë pas humbjes me rusët në Volgograd.

Me një kontratë dyvjeçare në xhep (deri në dhjetor 2013) dhe 300 mijë euro në llogarinë bankare, Xhani De Biazi do ta çojë koston e trajnerëve të huaj që janë ulur në bankinë kuqezi, në 1.6 milionë, duke marrë në konsideratë edhe pagesat për italianin Xhuzepe Dosena (rreth 70 mijë euro), gjermani Hans Peter Brigel (400 mijë euro), kroati Oto Bariç (300 mijë euro), holandezi Ari Han (300 mijë euro) dhe kroatin Josip Kuzhe (360 mijë euro). Trajneri më i paguar shqiptar ka qenë Sulejman Demollari (1 milionë lekë të vjetra), njëherësh edhe i fundit që drejtoi përfaqësuesen. De Biazi ka drejtuar një duzinë ekipesh, përfshirë Torinon, Livornon, Kozencën, Karpin, Modenën, Breshian, Levanten (në Spanjë) dhe së fundi Udinezen (2009).

Në fakt, sa herë është larguar trajneri i radhës, kandidatët italianë janë vetofruar apo rekomanduar nga agjentët e tyre pranë FSHF-së. Kështu, kur u largua Dosena (në tetor të vitit 2002) kandidatë për stolin shqiptar ishte Antonio Kabrini, përpara se Duka të vendoste më pas për Hans-Peter Brigel. Edhe kur u largua gjermani, Nevio Skala mbërriti në Shqipëri për një bisede punë, por mesa duket shifrat e kërkuara nga italiani detyruan Dukën të pranonte kroatin Oto Bariç. Pas largimit te Kuzhesë, u përmendën shumë emra për të marrë drejtimin e ekipit Kombëtar, të tillë si Ervin Koemani (holandez), Leo Benhakeri (holandez), Ad De Mos (holandez), Ljupko Petroviç (serb), Lotar Mateus (gjerman), Augusto Xhentilini (italian), Matjazh Kek (slloven), Dario Boneti (italian), Enriko Fabro (italian), Oto Rehagel (gjerman), Zhak Santini (francez), Mario Bereta (italian), Xhani De Biazi (italian), Shtefan Demol (belg), Ioan Andone (rumun), Sreçko Katanec (slloven), por tani i përkasin përfundimisht “lojës mediatike”, pasi qysh nga 14 dhjetori i vitit 2011, italiani De Biazi u ul në stolin e Shqipërisë.
 
KARTA E IDENTITETIT
Emri: Xhovani De Biazi
Vendlindja: Sarmede (Trevizo)
Datëlindja: 16 qershor 1956
Profesioni: trajner
Ekipet: Vastese, Karpi, Modena, Breshia, Torino, Levante, Udineze
 
Personalitet i Sarmedes
 
Xhani De Biazi është një nga tre personalitet e Sarmedes, së bashku me Xhovanibatista Biton, një komandant partizan i Luftës së Dytë Botërore dhe çiklistin Vito Favero, ky i fundit ka marrë pjesë në Xhiron e Italisë dhe Turin e Francës. Vendlindja e De Biazit, Sarmede (rreth 3300 banorë) është një nga 95 komunat e provincës së Trevizos, në verilindje të Italisë, dhe kufizohet me Venecian, Padovën, etj.
 
 

 14 trajnerët shqiptarë
 
Kombëtarja është drejtuar nga dhjetë trajnerë shqiptarë: Adem Karapici, Sllave Llambi, Ludovik Jakova, Loro Boriçi, Zyber Konçi, Myslim Alla, Ilia Shuke, Shyqyri Rreli, Agron Sulaj, Bejkush Birçe, Neptun Bajko, Astrit Hafizi, Mehdin Zhega dhe deri te i fundit, Sulejman Demollari, i shkarkuar në prill të vitit 2002. Boriçi e ka drejtuar Kombëtaren në tri periudha të ndryshme.

Nente trajnerët e huaj
 
Shqipëria ka pasur gjatë historisë së saj ka pasur tetë trajnerë të huaj. Serbi Ljubisha Broçiç e bëri Shqipërinë kampione të Ballkanit, 65 vjet më parë, në tetor të vitit 1946. Më aps drejtuan hungarezi Miklosh Vadash, rusi Nikolai Ljkushnikov, italiani Xhuzepe Dosena, gjermani Hans Peter Brigel, kroati Oto Bariç, holandezi Ari Han, kroati Josip Kuzhe,  I fundit është italiani Xhani De Biazi.
 
 
 
 
Gjashtë të huajt e Dukës
 
Armand Duka ka emëruar gjashtë trajnerë të huaj: italianët Xhuzepe Dosena dhe Xhani De Biazi, kroatiët Oto Bariç dhe Josip Kuzhe, gjermanin Hans-Peter Brigel dhe holandezin Ari Han.
 
Demollari, shqiptari i fundit
 
Trajneri i fundit shqiptar që ka drejtuar Kombëtaren e Shqipërisë është Sulejman Demollari, i shkarkuar në prill të vitit 2002, pas një humbje 2-0 në miqësoren me Andorrën.
 
 
Trajnerët e huaj të Shqipërisë
 
Xhani De Biazi (italian)
Nga 14 dhjetor 2011
 
Josip Kuzhe (kroat)
20.05.2009-31.12.2011
 
Ari Han (holandez)
01.01.2008-15.04.2009
 
Oto Bariç (kroat)
01.07.2006 01.06.2007
 
Hans Peter Brigel (gjerman)
29.03.2003 30.05.2006
 
Xhuzepe Dosena (italian)
12.07.2002 16.12.2002
 
Nikolaj Ljukshinov (rus)
1958
 
Miklos Vadas (hungarez)
29.11.1953
 
Ljubisha Broshiç (serb)
22.09.1946 13.10.1946

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›