Balla: Fitoret me rivalët i japin Kukësit superligën
Drejtori teknik, Sabri Balla, vlerëson Besëlidhjen, por është i bindur se ekipi i tij nuk do të ndalet edhe këtë javë
Kuksianët kanë lënë dje kryeqytetin dhe janë nisur drejt qytetit verior, ku për 3 ditë do të stërviten dhe do të qëndrojnë të grumbulluar para sfidës së rëndësishme me Besëlidhjen. Për këtë ndeshje trajneri Berberi i ka të gatshëm të gjithë futbollistët, një arsye më shumë kjo për të kërkuar fitoren, që do të thotë vendi i dytë. Enkas për Sportin shqiptar, drejtori teknik i kuksianëve, Sabri Balla, ka shprehur dje bindjen se Kukësi do të bëjë detyrën edhe ditën e shtunë:
Skuadra është e plotë, ndërkohë që presidenca dhe stafi u kanë qëndruar afër lojtarëve, kështu që nuk ka arsye pse të mos e mundim edhe Besëlidhjen. Në Kukës luhet kryendeshja e kësaj jave dhe ne e vlerësojmë Besëlidhjen, pasi është një skuadër me tradita në futbollin shqiptar, ka lojtarë cilësorë, por objektivi që kemi na detyron të mos gabojmë në fushën tonë me rivalët e drejtpërdrejtë.
Nuk do të jetë e lehtë, pasi edhe lezhjanët janë të fortë, por, duke parë angazhim maksimal të lojtarëve, kemi besim se do të marrim fitoren e radhës. Duhet theksuar se, duke fituar ndaj rivalëve, do të ngjitemi në superligë.
Tifozët Drejtori teknik i Kukësit po merr edhe masat për mbarëvajtjen e ndeshjes, në mënyrë që ajo të jetë sa më korrekte. Natyrisht që është një ndeshje vendimtare dhe ne po i marim masat që të shkojë në mënyrën më të mirë brenda dhe jashtë fushe. Në fund të fundit, është një ndeshje futbolli dhe duhet të përcjellë spektakël për tifozët.
Shpresoj të kemi një mbështetje më të madhe nga tifozeria jonë në këtë sfidë. Në emër të stafit i falënderoj për mbështetjen që na kanë dhënë në të gjitha ndeshjet që kemi luajtur deri më tani, por me Besëlidhjen kemi më shumë se kurrë nevojë për ta, ka përfunduar drejtori teknik, Balla.