Aksionet shtetërore të "Albtelekom", konsulenti i privatizimit caktohet më 10 gusht
Ervin KOÇI
Mungesa e parave ka detyruar qeverinë që të përshpejtojë procedurat për të shitur edhe ato pak pasuri shtetërore që i kanë mbetur aty-këtu nëpër kompanitë strategjike. Aq me ngut duket nisma e fundit e qeverisë së që nuk ka marrë parasysh as paralajmërimet e ekspertëve vendas dhe të huaj të ekonomisë, për të mos shitur në kohë krize asnjë pasuri kombëtare, për shkak se në këtë kohë atyre u bie vlera. Por qeveria ka rinisur nga e para procedurën e tenderit për të gjetur konsulentin e huaj, i cili do të bëjë të mundur privatizimin e paketës shtetërore në "Albtelekom". Procedura e parë nisi më 6 prill të këtij viti, ku interes për të qenë konsulent të procesit kishin shfaqur gjashtë shoqëri. Bëhet fjalë për shitjen e 16 për qind të aksioneve të mbetura në pronësi të shtetit shqiptar, nga ku parashikohet një e ardhur e konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Tenderi do të zhvillohet më 10 gusht, kurse oferta limit për shoqërinë fituese do të jetë rreth 300 mijë dollarë (rreth 28 milionë lekë). Pas shpalljes së fituesit, konsulentit do t‘i vihen katër muaj kohë për të bërë të mundur realizmin e shitjes së aksioneve. Situata zgjedhore dhe premtimi i Kryeministrit për të mos privatizuar asnjë aset shtetëror, të paktën dy muaj para votimeve, shtynë për një kohë tjetër procedurat për gjetjen e konsulentit. Sipas Ministrisë së Financave, mendohet të sigurohen nga privatizimet rreth 250 milionë dollarë, por pa identifikuar burimin. "Albtelekom" mbulon 90 për qind të tregut, kurse pjesa e mbetur zotërohet nga operatorët ruralë. Në këtë pikë, qeveria synon të fusë në arkën e shtetit të ardhura të konsiderueshme, aq të nevojshme në këto kohë krize. Konsulenti i huaj duhet të ketë burime financiare të nevojshme për realizimin e objektit të prokurimit dhe mban përsipër çdo rrezik që mund të ndodhë siç parashikohet apo nënkuptohet në kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të kontratës. "Albtelekomit" i është dhënë licenca e tretë celulare, ku shoqëria zotëron 100 për qind të aksioneve.
Shitja e aksioneve
Privatizimi i aksioneve të mbetura të ARMO-s, AMC-së, Albtelekomit, OSSH-së etj., është një proces i mbetur nga privatizimet e mëparshme, ku aksionet e shtetit aty janë të pjesshme ose aksione në minorancë. Qeveria aktualisht ka në dorë dhe procesin e privatizimit të INSIG-ut dhe kolaudimit të automjeteve, ndërsa sapo ka mbyllur ARMO-n (85 për qind) dhe OSSH-në (76 për qind), blerësit e të cilëve u shpallën disa investitorë strategjikë. Sipas kreut të qeverisë, Berisha, "privatizimet kanë qenë plotësisht të suksesshme dhe kanë tejkaluar parashikimet në suksesin e tyre dhe brenda vitit do të privatizohen dhe aksionet e AMC-së, Albtelekomit, ARMO-s, etj.”. Sipas tij, “qeveria nuk dëshiron të jetë aksionere. Ajo ka mision e detyra të tjera. Në këtë kontekst, ne realizojmë me sukses të plotë një prej premtimeve më madhore në fushën ekonomike, premtimin e privatizimit transparent të sipërmarrjeve publike".
Privatizimet
Rikthimi i ligjit të privatizimeve ka rikthyer edhe një herë vëmendjen e opinionit drejt sektorëve strategjikë pas një bllokimi relativisht të gjatë. Ky proces u bllokua si pasojë e përplasjeve që kishte me ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, pasi ky ligj ndalonte privatizimin e objekteve shtetërore, ndërkohë që procesi ka vazhduar. Tashmë me riaktivizimin e tij të parët që do të përfitojnë do jenë ish-pronarët e truallit, pasi ligji u jep atyre të drejtën e parablerjes. Aktualisht në proces është vetëm kompania “Albtelekom”, ndërsa pritet që të fillojnë edhe sektorët e tjerë strategjikë. Deri tani janë privatizuar pothuaj 100 për qind e sektorëve të industrisë ushqimore, bujqësia, industria joushqimore duke përfshirë minierat, ndërmarrjet e tekstilit dhe të këpucëve, të prodhimit të artikujve industrialë, të duhanit, të transportit të brendshëm të udhëtarëve etj. Privatizimi ka përfshirë edhe Aeroportin e Rinasit, ndonëse si hap të parë me dhënie koncesionare, si dhe ndërmarrje të ujësjellësve dhe të energjisë elektrike, sektorë të veçantë të të cilëve do të privatizohen 100 për qind në të ardhmen. Ministria e Ekonomisë parashikon që në vitin 2010 të përfundojë procedurat për privatizimin e paketës kryesore për sektorin e transmetimit të energjisë elektrike, paketën e mbetur të aksioneve për shoqërinë “ARMO sh.a.”, privatizimin e plotë të paketës shtetërore në shoqërinë e telefonisë celulare “AMC”, si dhe përgatitja për ristrukturim dhe privatizimin e shoqërive të Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave dhe porteve të Vlorës, Sarandës dhe Shëngjinit.
Koncesionet
Paralelisht me procesin e privatizimeve ka përfunduar edhe ligji i koncesioneve. Miratimi i këtij ligji ka ndryshuar rrënjësisht procedurat e dhënies me koncesion të shumë prej HEC-eve dhe TEC-eve, si dhe një pjesë të rrugëve kryesore të vendit. Ndërkohë që pritet që me ligjin e ri të jepen me koncesion edhe ndërtimi i linjave hekurudhore dhe përmirësimi përfundimtar i këtij shërbimi. Aktualisht janë dhënë me koncesion 54 HEC-e vendore, si dhe TEC-i në Fier, ndërkohë po shikohet mundësia edhe për një sërë objektesh në infrastrukturën rrugore.
4 Gusht 2009