E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi premton zgjidhje për topin

Presidenti i topit shqiptar, Armand Duka ankohet te Topi, Presidenti i Republikës, dhe rigjen buzëqeshjen, po të kemi parasysh pamjen e ftohtë të tij, pas takimit të disa ditëve më parë kur doli nga zyra e ministrit të Sporteve, Ylli Pango. Takimi Topi-Duka u zhvillua në presidencë, ku bashkë me bosin e futbollit kuqezi ishin të pranishëm zëvendëspresidenti, Bujar Kasmi dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Skënder Hyka. Në takim u diskutuan edhe shkaqet që provokuan edhe pezullimin e dyfishtë ndërkombëtar të Shqipërisë nga FIFA dhe UEFA. Të enjten e kaluar, për herë të parë për një media shqiptare (televizonin "Top Channel"), kreu i FIFA-s, Jozef Blater, i bëri thirrje shtetit shqiptar për të reflektuar dhe ndryshuar qendrimin e tij ndaj ndërhyrjes së rëndë politike në futbollin vendas.
INTERESIM PERSONAL
Kreu i shtetit njihet nga të gjithë si një njeri tejet i apasionuar pas futbollit, madje para se të zgjidhej në postin më të lartë shtetëror ishte edhe president i klubit të futbollit Tirana, klubit me më shumë tituj kampion në Shqipëri. "Presidenti i Republikës e ka ndjekur me mjaft vëmendjen cështjen e pezullimit nga garat ndërkombëtare të kombëtares tonë të futbollit jo vetëm për shkak të detyrimeve institucionale, por edhe për shkak të interesimit personal për sportin", - thuhej në deklaratën e dalë nga zyra e tij. Ish-nënkrytari i Partisë Demokratike theksoi se sporti ka një mision të jashtëzakonshëm dhe se pjesëmarrja e ekipeve kombëtare në garat ndërkombëtare është një përfaqësim tepër i rëndësishëm dhe një rol prej ambasadori të vërtetë në promovimin e vlerave të Shqipërisë në Europë dhe kudo në botë.
RENDESI STANDARDEVE
Sipas komunikatës të publikuar në faqen zyrtare të presidencës (president.al), presidenti Topi vuri në dukje nevojën për të diskutuar rreth mundësive për të dalë sa më shpejt nga kjo gjendje. "Për të mos i lënë gjërat pezull, por që ato të marrin vlerën e komunikimit zyrtar dhe t'i jepet rëndësi ligjit dhe standardeve ndërkombëtare, dhe i siguroi drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit se do të bëjë cdo përpjekje brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë institucionale dhe thelbësore", - vazhdon deklarata zyrtare e dalë pas takimit dypalësh.
GARANCI PRESIDENCIALE
"Dua ta falënderoj presidentin e Republikës që u takua me ne dhe të bëhet pjesë e zgjidhjes së këtij problemi", - theksoi për mediat presidenti i FSHF-së, Duka, menjëherë pas daljes së selia e presidencës. "Në takimin e sotëm ne diskutuam rreth cështjes së pezullimit të Shqipërisë nga FIFA dhe UEFA. Jemi munduar ta informojmë më në detaje presidentin e vendit", - pohoi Duka. "Kemi marrë një garanci nga presidenti se ai do të përdorë gjithë autoritetin e tij për të kontribuar maksimalisht për të ritkyer Shqipërinë në FIFA", - theksoi Duka. Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit i shprehën Topit nevojën dhe domosdoshmërinë për të gjetjen sa më shpejt të një zgjidhjeje, duke nënvizuar edhe gatishmërinë e tyre për të dialoguar e bashkëpunuar.
DETYRAT E FIFA-s
"Unë besoj se presidenti do të informohet akoma më tej rethh problemit dhe unë shpresoj se ai do të japë zgjidhjen e duhur. Sipas mendimit tim, mënyra e vetme për t'u kthyer në FIFA është që të zbatosh ato detyra që kanë lënë FIFA". Shqipëria u pezullua nga FIFA, më datë 14 mars dhe nga UEFA, më 20 mars, duke vuajtur edhe pasojat e para të pezullimit: anulimin e dy ndeshjeve miqësore të Kombëtares A (me Arabinë Saudite dhe Moldavinë) dhe një ndeshje zyrtare të Shpresave me Greqinë U-21, të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian U-21.
"B.Topi 10"
Si dhuratë (tashmë një traditë), krerët e Federatës Shqiptare të Futbollit i dhuruan presidentit Topi një bluzë të kombëtares me numrin 10, ashtu sic bënë edhe me kreun aktual të UEFA-s, Mishel Platini (atëherë jo president) gjatë inaguurimit të Komleksi Stërvitor të Kamzës. Bashke me bluzen edhe nje top per Topin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›