E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Kodi i ri Zgjedhor drejt dështimit për shkak të pazareve PS-PD



Lëvizja Socialiste për Integrim i ka akuzuar sërish Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike për vonesa të qëllimshme në hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Kryetari i grupit parlamentar “E majta për integrim”, Pëllumb Xhufi, tha se Kodi i ri Zgjedhor po dështon si rezultat i pengesave të qëllimshme që po kryejnë përfaqësuesit e dy partive kryesore në Komisionin Parlamentar. Xhufi denoncoi edhe vonesat në punën e Komisionit, i cili deri tani është mbledhur gjithnjë e më rrallë, duke shkelur afatet e përcaktuara. “Pasi ndërtuan në mënyrë të njëanshme një makrostrukturë dushkiane me ndryshimet kushtetuese, PD dhe PS po montojnë, gjithmonë larg institucioneve, edhe infrastrukturën përkatëse, Kodin Zgjedhor. Kodi Zgjedhor është një tjetër histori dështimi i dyshes përjashtuese PD e PS. Ky është gjykimi ynë politik. I premtuar që të realizohej brenda muajit korrik dhe më tej në fillim të shtatorit dhe akoma më tej brenda muajit shtator dhe pastaj brenda muajit tetor, Kodi Zgjedhor po rrezikon t’u shtohet atyre gjërave që do të realizohen qëllimisht në minutën e fundit, për të rritur konfuzionin dhe për të rritur nivelin e vjedhjes së votës së shqiptarëve. Ne duam të denoncojmë me forcë faktin që komisioni i posaçëm për hartimin e Kodit, që duhej të mblidhej ditë e natë për të fituar kohën e humbur, është mbledhur herën e fundit më shumë se para dy javësh”, - tha Xhufi.

Çështjet delikate

Kryetari i grupit parlamentar “E majta për integrim” akuzoi përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike se kanë anashkaluar çështjen e administrimit të votës, si dhe nuk kanë marrë parasysh propozimin e LSI-së për mundësimin e pjesëmarrjes në votime të emigrantëve shqiptarë. “Deri tani, në hartimin e Kodit Zgjedhor janë trajtuar vetëm nene dhe paragrafë, të cilët përsërisin nene dhe paragrafë të Kodit të vjetër 2005 dhe jo pa qëllim kanë ngelur pa u trajtuar çështjet më djegëse të ligjit elektoral. Në radhë të parë problemi i administrimit të votës, çështja e kompozimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe komisioneve të tjera të niveleve më të ulëta të zgjedhjeve dhe të numërimit të votës. Problemi tjetër shqetësues i votës së qytetarëve me banim jashtë shtetit, për të cilin LSI-ja prej muajsh ka paraqitur edhe një skemë që e mundëson realizimin e kësaj vote edhe në kushtet e sistemit të ri zgjedhor”, - tha Xhufi.

Korrektimi

Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, tha se vlerësimi i votave duhet të bëhet në përshtatje të sistemit proporcional, i cili do të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme. “Dhe çështja tjetër kardinale, e vlerësimit të çdo vote siç e do vetë fryma e sistemit zgjedhor proporcional dhe siç e do edhe morali i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ne duam me këtë rast të kujtojmë edhe një herë që faktorët ndërkombëtarë, së fundi edhe OSBE-ja, kanë paralajmëruar që çështje të tilla të trajtohen sipas një qasjeje të ndryshme, jo përjashtuese, por një qasje gjithëpërfshirëse”, - tha Xhufi.

22 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›