E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehu:Partia e Pollos, ne shtator vendet ne PD

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Nënkryetari i PDR, një parti tashmë që nuk do të ekzistojë më pas shtatorit të këtij viti, Tritan Shehu, zbardh ekskluzivisht gjithë detajet e bashkimit të reformatorëve me PD, dhe arsyet që e çuan këtë parti të dalë me vendimin për t iu bashkuar partisë nënë nga e cila doli. Shehu është shprehur se në shtator do të bëhen të ditura pozicionet e ish-krerëve të PDR-së tashmë në funksionet e tyre partiake brenda PD-së. Për sa i përket vendimit ai thotë se është konsultuar dhe me struturat e reformatorëve në bazë dhe qendër.

A do të bashkoheni me PD dhe, nëse po, cila do të jetë formula e këtij bashkimi, do të jeni një fraksion brenda PD-së?

Unë nuk dua të kaloj në këto elemente konkrete që ju përmendët, sepse do të doja të konfirmoj se ne jemi në një proces afrimi me ta, të gjithanshëm dhe të mëtejshëm. Gjithë kjo periudhë, që nga zgjedhjet elektorale politike të kaluara të 2005-ës, dhe në qeverisje madje, ka qenë një periudhë prove dhe afrimi midis nesh dhe PD-së. Ka qenë një periudhë që normalisht dhe gradualisht janë zhdukur diferencat, dallimet midis nesh. Është rivendosur besimi reciprok, është konfirmuar objektivi dhe vullneti i përbashkët, pse jo janë vendosur dhe marrëdhëniet personale, të cilat janë të rëndësishme në politikë. Pra të gjitha këto kanë bërë që ne të shkojmë drejt një procesi, i cili po na çon në një lidhje gjithmonë e më të ngushtë me PD. Ky është një proces natyral, pra i natyrshëm, pasi realisht ne kemi të njëjtën origjinë, të njëjtën platformë programi, ne kemi të njëjtin objektiv, të dyja palët bëjmë pjesë në partitë popullore evropiane. Pra janë këto elemente, të cilat janë të rëndësishme, plus shtojmë këtu punën e përbashkët në këto 3 vjet e 8 muaj, pra të qeverisjes së përbashkët, punë e cila ka treguar se ka qenë e suksesshme, e frytshme. Mendoj se nga afrimi i mëtejshëm dhe lidhja e mëtejshme, do të jetë pozitive si për PDR vetë, por dhe për PD, dhe për koalicionin e qendrës së djathtë, sepse realisht po transmetojmë mesazhe të reja. Pra do të shkojmë kësaj radhe në ndryshim me atë që ka shkuar politika shqiptare, e cila ka shkuar në ndarje, do të shkojmë në një proces bashkimi, i cili ishte mesazhi i parë i kësaj politike, i këtij dimensioni politik në Shqipëri, pas një procesi të gjatë ndarjesh që kanë pësuar forcat politike në tërësi. Do të shkojmë pra drejt një procesi përafrimi, në kundërshtim me atë që thuhet se politika shqiptare është e aftë vetëm të bëjë ndarje. Pra do të tregojmë se dimë të bëjmë dhe bashkim, ashtu siç kemi bërë dhe sot, dimë të gjejmë forma më të ngushta për t u lidhur midis nesh, të cilat për mua kanë mirëkuptimin dhe vullnetin e plotë të PDR-së, dhe jam i bindur, ashtu siç dhe dihet, që ky bashkim ka dhe vullnetin e PD-së. Praktikisht ngelen pastaj hapat e tjerë konkretë për t u parë, se si do jenë, deri ku do të shkohet, se si do të jetë forma e lidhjes midis nesh. Pra do të shkohet në një bashkim të plotë, si do të realizohet, mbi çfarë baze? Këto janë gjëra pastaj më të thjeshta, janë formale, të cilat sot realisht janë hedhur mbi tryezë, ashtu siç e tha dhe Genc Pollo para disa ditësh. Janë shtruar për zgjidhje, por që do të marrin një drejtim përfundimtar me fillimin e periudhës së re politike, që fillon në shtator, ku unë besoj se të dyja forcat tona politike do të punojnë konkretisht për të gjetur ato elemente, ata mekanizma, të cilët do ta bëjnë më të konsoliduar këtë bashkim.

Për sa u përket strukturave të PDR dhe elektoratit të saj, a jeni konsultuar në këto struktura dhe sa dakord janë për këtë bashkim me PD?

Ne e kemi biseduar këtë gjë në strukturat e PDR, elektorati ynë, si dhe ne, e ndien veten mjaft afër PD-së, është i bindur se lidhja me PD është e domosdoshme, ky është mendimi i përgjithshëm dhe i shumicës dërrmuese të drejtuesve të partisë në nivel qendror, por dhe atë lokal. Është një “OK” që është dhënë në parim, për të ecur në një rrugë të tillë. Po më konkrete dhe detajet, formalitetet, do të përcaktohen në hapat e tjerë që do të merren në të ardhmen, periudhë në të cilën ne do të jemi natyrisht në kontakt me strukturat tona, siç jemi në kontakt të vazhdueshëm për të krijuar realisht një urë midis nesh, qoftë dhe një strukturë të veçantë, një grup pune të përbashkët, për të realizuar këtë bashkim dhe për të hedhur hapa konkretë në këtë drejtim.

Sa e sigurt është PDR pas bashkimit me PD, për zgjedhjet e ardhshme kombëtare?

Unë mendoj se zgjedhjet gjithmonë janë zgjedhje dhe asnjë nuk mund të thotë realisht se ato janë në xhep. Por duke gjykuar nga ato që janë bërë në këtë periudhë me hapat e rëndësishëm pozitivë që ka pasur Shqipëria, reformat e thella që ka bërë, nga përmirësimet e dukshme institucionale, nga forcimi i pozitave dhe roli i Shqipërisë në kuadrin ndërkombëtar, nga hapat e integrimit euroatlantik që ka bërë. Të gjitha këto janë dhe më duken elemente të rëndësishme dhe pozitive për një bazë për të arkivuar fitoren e ardhshme politike. Pa dyshim që kësaj do t i bashkëngjitet një mirorganizim i brendshëm strukturor partiak për fushatën elektorale. Duhet t u përgjigjet mesazheve të reja që duhet të japim për fushatën e ardhshme, një nga to, pa dyshim, pse të mos jetë dhe bashkimi me PD. Pra është e kundërta e ndarjes. Pra të gjitha këto mendoj se do të forcojnë pozicionin e grupimit tonë politik, pozicionin e koalicionit tonë dhe do ta bëjnë më të afërt fitoren në zgjedhjet e ardhshme elektorale, fitore që, pa dyshim, kërkon punë. Kemi një vit përpara mos harroni, kemi pra akoma ¼ e mandatit, kërkon një punë më të kujdesshme dhe më të qartë, dhe më të përcaktuar nga ata që qeverisin, për të shtyrë përpara reformat, për të realizuar objektivat tona. Ka sektorë që duhen përmirësuar, ka sektorë që duhet të ecin më mirë, ashtu siç kërkon një punë të kujdesshme nga ana organizative e strukturave të forcave politike që marrin pjesë në zgjedhje, si dhe bashkërendimi i koalicionit për pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme. Pra ka shumë elemente që nga shtatori e tutje duhet të fillojnë të lëvizin, për të siguruar fitoren në zgjedhjet e 2009-ës.

Si do t i komentonit ju kritikat e fundit që janë bërë nga ambasadori amerikan, OSBE-ja dhe organizmat ndërkombëtarë, për funksionimin e disa institucioneve dhe lirinë e tyre në vendimmarrje?

Në tërësi, kur vijnë kritika, mendoj se duhen parë me seriozitet. Duhet të analizohen me seriozitet, kushdo që i bën ato absolutisht, ky është mendimi im. Duhen parë se sa nga ato qëndrojnë, se sa mund të realizohen, korrigjohen. Në tërësi mendoj se duhet të jemi të hapur të mirëpresim kritikat që bëhen. Shqipëria është një vend në zhvillim, një vend që vjen nga një izolim i thellë, nga një errësirë e thellë, 16 vjet nuk janë shumë në demokraci, janë pak. Ne akoma po paguajmë një çmim për të kaluarën tonë komuniste, qoftë në nivelin e politikës në tërsi, atë psikologjik, qoftë në nivel të marrëdhënieve tona me bashkësinë ndërkombëtare. Madje, dhe disa herë që bashkësia ndërkombëtare shpreh mosbesim ndaj Shqipërisë. Unë e kuptoj se dhe kjo është një element, pasi Shqipëria tani filloi të hapet. Pra dhe ata disa herë gjërat i shohin me dyshim ndaj nesh për hir dhe të së kaluarës sonë, unë e konsideroj normale. Pavarësisht se nga vijnë dhe si janë kritikat, dhe ndonjëherë të mos përputhet me atë që ndodh në të vërtetë, ne duhet t i marrim dhe t i analizojmë me qetësi dhe të nxjerrim atë që duhet. Nga ana tjetër mendoj se një detyrë tjetër jona është t i shpjegojmë më mirë bashkësisë ndërkombëtare pozicionin tonë, atë që ne bëjmë, atë që kemi bërë, që do të bëjmë, në mënyrë që ajo të jetë më afër me ne dhe ta kuptojë më mirë realitetin tonë, në mënyrë që dhe në ndërhyrjen e saj të jetë me efektive.

A do të arrijë kjo qeveri që të plotësojë standardet e kërkuara për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm?

Ne kemi bërë hapa të mëdha përpara në këtë periudhë. Kemi marrë përsipër ndryshime të mëdha dhe po i realizojmë realisht. Një nga to është dhe sigurimi i një ambienti zgjedhor demokratik dhe mendoj se janë të gjitha premisat. Së pari, nga ana organizative, po shikoj se gjërat po ecim me kartat e identitetit, regjistrimi i popullsisë, të cilat janë të rëndësishme. Nga ana tjetër, Reforma Zgjedhore po ecën shumë mirë, dhe nuk jam dakord me ato që deklaron politika, pasi kjo reformë po realizohet me një kompromis të gjërë politik, që është hera e parë në Shqipëri që po realizohet një reformë e tillë me një konsensus të tillë. Besoj se brenda muajit shtator kodi i ri zgjedhor do të ketë përfunduar. Pozita dhe opozita kanë marrë vesh se mund të bashkëpunojnë dhe duhet të bashkëpunojnë për gjëra të rëndësishme të një interesi kombëtar. Gjithashtu, një tjetër element i rëndësishëm për ndërmarrjen e këtyre vendimeve është dhe pjekuria e politikës shqiptare, një proces ky në rritje. Jam i bindur se zgjedhjet e ardhshme do të jenë një proces krejtësisht i ndershëm, dekokratike, sepse do të monitorohen gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar dhe që besoj se do të konfirmohet koncepti i themelit demokratik në Shqipëri.

Ky lajm është publikuar: 05/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›