Ben Blushi, a ke ndërmend të bësh ndonjëherë politikë aktive?
Në jetën e politikanëve, të paktën të atyre që janë me profil të lartë, vjen shpejt ose vonë një moment kur mbeten në hije. Një humbje, një pengesë ose një kthim prapa nga ambiciet e mëdha. U ka ndodhur personazheve që kanë pasur fatin të shkruajnë historinë. Për shembull Winston Churchill, i cili ishte margjinalizuar në partinë konservatore angleze “Tory” në mesin e viteve tridhjetë: derisa rrota e fatit i zuri bishtin.
Pjesa më e vështirë qëndron në menaxhimin e periudhës negative, aq sa mund të jetë e gjatë, pa rënë në një depresion ose në një psiko-dramë. Inteligjenca e politikanëve në krizë duket kur ata arrijnë ta përballojnë dhe mos të bëjnë gabime të pariparueshme, gjë e cila do një luftë me vetveten, të kesh nerva të forta dhe një largpamësi. Me fjalë të tjera, po them se është e nevojshme të mbrosh me qartësi një perspektivë strategjike pa u shtypur nga presioni i brendshëm.
Ben Blushi ndodhet përballë këtij shtegu. Shpresa e tij për të kthjelluar strukturat dhe militantë e PS-së se politika bojkotuese e Edi Ramës po e dërgon Partinë Socialiste në rrugë ekstra-parlamentare, sikur të ishte pa frikë një OJF, por edhe se po e çon drejt shpërbërjes së një kapitali të pasur shtetformues. Egoarku që vazhdon të drejtojë me "dhunë" partinë më të madhe të opozitës në Shqipëri, është natyrshëm protagonisti i humbjes në zgjedhjet parlamentare. Por edhe kjo vepër është konsumuar prej tij dhe nuk e ka marrë analizën e nevojshme edhe sot e kësaj dite. Çdo analizë është mykur dhe mbyllur në kutinë e votave.
Megjithëse shumëkush po kupton vetiu se politika e re e sloganeve “përtej të majtës dhe së djathtës”, më shumë huton sesa sqaron, pra nuk ishte asgjë tjetër vetëm një dogmë e ricikluar. Kjo kuptohet, meqë kjo brymë e re e Ramës lexohet ndryshe. Partia Socialiste ndodhet qartazi në një udhëkryq sa politik aq edhe ideologjik. Rendi i tij i ditës ngërthen risjelljen e kaosit për të sendërtuar vetveten, shpresën për të ndryshuar imazh, në përpjekje për të sjellë një lider jashtë politikës. Mirëpo si çdo eksperiment që nuk ka përbërësit e duhur, kur përdoren gjetje toksike për të bërë politikë, afërmendsh pastaj prodhimi do të jetë dramatik.
Këtë Blushi e ka kuptuar mirë, por kur patologjia njihet, duhet jo vetëm të diagnostikosh, por edhe të veprosh. Por siç duket qartë mendjemadhësia intelektuale nuk e lejon të presë me sëpatë njëherë e mirë rrënjët politike. Tjetër: A ka mundësi që Ben Blushi të pranojë të jetë peng a një vegël qorre e cliche-së përtej së majtës e së djathtës të Edi Ramës? Në intervista llafollogjie ai ka thënë që jo, por çfarë pret që të hyjë në parlament? Nëse ka një kurajë intelektuale ose shkurt për vendimmarrje politike, tani, është momenti më i favorshëm për të bërë një eskursus politik, pikërisht jashtë sqetullës së Partisë së Edi Ramës. Çdo minutë që humbet në një kërkesë llogarie se çfarë bën Rama për ta rikthyer PS në një forcë pozitive është një humbje kohe. Sepse Edi Rama ka një dell blloku për të asgjësuar grupet që kanë një mendim ndryshe nga sutaku personal. Qenia e opozitës ndryshe në parlament do të jepte një pickim shumë të madh qëndrimeve black bloc të kryetarit të PS.
Ideologjia e re e bllokut të zi shqiptar ka dy thithje mendimesh, së pari natyra anarkiste dhe jashtëinstitucionale e Edi Ramës të ngjan me lëvizjen franceze të NAR (Nouveau Parti Anticapitaliste) të Olivier Besancenot. Së dyti, rrënjët e bllokut komunist shqiptar shkojnë paralel me veprimet e mos-njohjes së rezultatit zgjedhor. Mbështetja e Ruçit që Edi Rama mbas humbjes zgjedhore të mbante akoma postin e kryetarit është fiks shpjeguese se çfarë fshihet pas planit të bojkotit. Edi Rama është më i manipulueshëm ideologjikisht nga i lexuari Ben Blushi, afërmendsh dhe zgjedhja e strukturave të partisë shkoi pas fyellit të atij që premton më shumë. Arsyeja e vetme që Blushi deri tani ka dhënë është se PS do të lodhet nga Rama, po kjo është po aq e vërtetë sa edhe arsyetimi tjetër se Rama është i lodhur nga bastuni nën rrota i Blushit. Prandaj, kur në një shtëpi ka dy të adhnuar, njëri duhet të jetë më i zgjuar e të abdikojë... Në këtë këndvështrim, Blushit i ka ardhur tek fundi sfida e abdikimit nga qëndrimet, format e strukturat e kryetarit të PS-së.