E Shtunë, 31 Tetor 2026

Starova: Po nuk u ndryshua, jemi kundër

Kreu i PBLD-së thotë se akoma nuk ka vendosur nëse do të dalë në zgjedhje në krah të PD-së. Ai ngre shqetësimin se, si kryetar partie, nuk i është thënë apo dhënë asgjë për kodin e ri zgjedhor

Një nga aleatët e Partisë Demokratike, Bashkimi Liberal Demokrat, thotë se do të kundërshtojë kodin e ri zgjedhor në rast se nuk ndryshohet koeficienti i përllogaritjes së votave për partitë e vogla. Kreu i BLD-së, Arian Starova, thotë se duhet që koeficienti i përcaktuar tashmë në kodin e ri zgjedhor nuk i respekton votat e të gjithëve, prandaj duhet të rregullohet. Ndërkaq, Starova ngre shqetësimin se, si kryetar partie, nuk ka marrë akoma një kopje të draftit përfundimtar të kodit të ri zgjedhor dhe as nuk është informuar për atë që është përcaktuar. Ai shpjegon se mënyrat e vetme për t’u njohur me nenet e kodit zgjedhor kanë qenë komentet e kolegëve të tij. “Akoma nuk jam konsultuar me draftin e kodit të ri zgjedhor. As nuk na e ka dhënë njeri dhe as nuk kanë thënë që ka mbaruar. Natyrisht që po të interesohem unë e gjej, por kur të mbarojë do ta marrim. Kur të mbarojë e ta bëjnë gati për në parlament, atëherë do ta marr”, thotë Starova për “Korrierin”. Megjithatë, Starova thotë se me aq sa është njohur, kërkesa e tij do të ishte që të ndryshohej koeficienti i respektimit të votave të partive të vogla dhe në rast se kjo nuk bëhet, atëherë do ta kundërshtojë kodin. Ndërkaq, bashkë me drejtuesit e tjerë të Bashkimit Liberal Demokrat, Starova ka nisur prej pothuajse një vit takimet me bazën e tij nëpër rrethe dhe thotë se këto takime do të vijojnë derisa të mbarojnë zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Ndërsa për sa i përket mënyrës së daljes në zgjedhjet e ardhshme, kreu i BLD-së thotë se nuk ka diskutuar akoma as me Partinë Demokratike, por as me kryesinë e partisë së tij. Sipas tij, diskutimi për mënyrën e daljes në zgjedhjet e ardhshme do të bëhet pasi drafti i ligjit zgjedhor të ketë marrë votën parlamentare dhe të jetë shndërruar zyrtarisht në kodin zgjedhor. Në deklarimet e mëparshme, Starova ka shprehur shqetësimet e tij për mënyrën sesi po hartohej kodi i ri zgjedhor. Ai si kryetar partie deklaroi pak kohë më parë, se nuk është njohur zyrtarisht me përmbajtjen e kodit, edhe pse si kryetar partie duhet të vihej në dijeni për çdo përcaktim apo amendament që përfshihej në kod. Po ashtu, Starova është një nga aleatët e djathtë që ka vënë në diskutim nëse në zgjedhjet e ardhshme do të dilte përkrah Partisë Demokratike, në rast se ajo nuk merrte parasysh kërkesat e liberal-demokratëve. Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe republikanët, të cilët tashmë duket se janë të kënaqur me kodin e ri zgjedhor, edhe pse nuk janë marrë parasysh plotësisht kërkesat e tyre. Republikanët kanë deklaruar përfundimisht se do të jenë pjesë e koalicionit të ardhshëm të djathtë. Ndërsa liberal-demokratët akoma nuk kanë vendosur nëse do të dalin me PD-në apo me listat e tyre të veçanta, të cilat duket se tashmë i kanë përgatitur disa muaj më parë, kur deklaruan se janë gati ta dalin edhe vetëm në zgjedhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›