E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali, sherri për këshillin bashkiak lë pa bukë familjet e varfra

768 familje të varfra në Fier, prej katër muajsh pa marrë ndihmën ekonomike, do duhet të kalojnë edhe festat pa të ardhurat minimale që u sigurojnë jetesën, pasi forcat politike nuk janë marrë vesh për t’i miratuar këto ndihma

Debatet politike mes palëve për kreun e këshillit bashkiak Fier kanë lënë pa paguar familjet në nevojë, të cilat do duhet të kalojnë festat pa para. Prefekti i Qarkut Fier, Bujar Hasaj ka konfirmuar se nuk i njeh vendimet e datës 25 nëntor të këtij viti, të marra gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak, ku mungonin këshilltarët e djathtë dhe ata të LSI-së, përveç këshilltarëve republikanë, duke justifikuar se mbledhja e këshillit kishte shkelur disa proceduar. Ky është muaji i katërt që familjet e varfra të këtij qyteti mbeten pa ndihmë, ndërsa duket se ata do të kalojnë edhe festat pa marrë përkrahjen minimale, pasi fondi është djegur, ndërsa afatet e përdorimit të tij janë tejkaluar.

Refuzimi

Sipas një shkrese të dërguar Bashkisë së Fierit, prefekti ka dëshmuar se nuk njeh procedurën e mbledhjes së zhvilluar, prandaj edhe nuk miraton asnjë nga vendimet e kësaj mbledhjeje. Në këto kushte, 768 familje që marrin ndihmë ekonomike me një shumë prej 3 700 lekësh secila, nuk mund të tërheqin paratë, megjithëse kanë 4 muaj pa marrë pagesat sociale. Kthimi pas i këtyre vendimeve ka penalizuar të gjitha familjet e varfra, të cilat po e shihnin si shpëtim këtë datë. Problemi me ndihmat ekonomike duket se është mbyllur këtu për këtë vit, kur dega e Thesarit në Fier ka deklaruar se afati i fundit për të bërë veprime dhe xhiruar lekët ishte pikërisht dita e djeshme deri në orën 12:00 të mesditës. Pas kësaj ore, Thesari nuk ka të drejtë të bëjë asnjë veprim të mëtejshëm që do t’u njihte të drejtën e pagesës këtyre familjeve në nevojë.

Reagimet

Nënkryetari i Bashkisë Fier, Florjan Muçaj ka deklaruar se prefekti, edhe nëse e ka parë si jo të arsyeshme mbledhjen, duhej që së paku të kalonte ndihmat ekonomike. “Me keqardhje na duhet të bëjmë me dije të 768 familjet që përfitonin ndihmë ekonomike, se nuk do t’i marrin dot ato . Edhe pse një shumë modeste, ne e dimë që kjo ishte shumë për ju dhe kur më tepër ndodhemi përpara festave. Sot na ka ardhur një përgjigje negative nga prefekti, e cila është e pamotivuar aspak si ligjërisht, ashtu edhe moralisht”, - tha Muçaj. Argumenti i Prefekturës që nuk njeh vendimet në fjalë, ka qenë lidhur me procedurën e zhvillimit të mbledhjes. Një ndër pikat ishte njoftimi i këshilltarëve jo në respektim të afateve kohore prej pesë ditësh, zhvillimi i mbledhjes së këshillit nga zv/kryetari i këshillit të Bashkisë, Sokrat Ikonomi, dhe sipas Prefekturës nuk duhej bërë prej tij, por prej Vasil Ndrekos, i cili njihet nga Prefektura si kryetar i këshillit të Bashkisë. Ndërkohë që një ndër pretendimet e tjera në përgjigjen dërguar Bashkisë ka qenë edhe buxheti i vitit 2012, që sipas prefektit është një buxhet i hartuar pa u marrë vesh me komisionet përkatëse, as me grupet e interesit dhe as me komunitetin.

Kryetari i këshillit

Ndërkohë disa qytetarë të prekur nga ky kthim vendimesh, kanë kërkuar takim me Vasil Ndrekon, i cili është zgjedhur nga e djathta si kryetar i këshillit të Bashkisë. Ky i fundit i

ka pritur qytetarët dhe u ka thënë se nuk është faji i tij që ata mbetën pa lekë edhe këtë muaj. “Jam plotësisht dakord që ju jeni në nevojë dhe dua t’ju ndihmoj, por nuk është faji im që ju mbetët në këtë gjendje. Ne kishim rënë dakord që të kalonin ndihmat ekonomike, por nga ana e këshillit na erdhën veç ndihmës ekonomike edhe 18 vendime të tjera që ishin jashtë marrëveshjes sonë. Në këto kushte, mua nuk ma solli njëri shkresën siç e kërkuam që të firmosej kalimi i parave për ju”, - ka thënë Ndreko, i cili ndër të tjera shtoi se po kërkon rrugë dhe hapësira për t’i ndihmuar këto familje, që nuk janë pak dhe që sipas një mesatareje të përllogaritur janë rreth 4 mijë banorë që mbeten pa asnjë para këtë fundvit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›