Shembet skeleti 25 vjeçar i 11-katëshit në qendër të Vlorës
VLORË Për ndërtimin e 11 katëshit punimet filluan prej vitit 1986, për të mos përfunduar kurrë. Problemet e viteve të para të tranzicionit, konfliktet e pronësisë, apo edhe hyrja e firmave piramidale në shitblerjet e para, duket se qenë pjesë e “ngërçit” të ndërtimit të godinës, që u identifikua thjesht me emrin e kateve që pati.
Dikur pronë publike, pastaj në pronësinë e një prej firmave piramidale, struktura përfundoi tek investitori Sulo Shehu, një emër shumë i njohur i biznesit në Vlorë.
Ndërtesa e papërfunduar, e cila zuri vend në qendër të qytetit, u quajt ndryshe edhe “tek hoteli”, pasi asokohe, u përfol se destinacioni i saj do të ishte një hotel shumëkatësh.
Para rënies së sistemit, u prishën disa ndërtesa në Vlorë, për t'ia lënë vendin një hoteli të madh, i cili për kohën konceptohej luksoz, me shumë dhoma, salla konferencash, bare. Por projekti nuk u zbatua asnjëherë deri në fund. Vitet në vijim dhe zhvillimet në fushën e ndërtimit urbanistik, thjesht zhveshën godinën nga vlerat arkitektonike. Ndërtues të ndryshëm e cilësonin atë një ndërtim që nuk i rezistoi aspak kohës, por në skeletin që mbeti, thjesht u quajt një gjë pa vlerë në qendër të Vlorës. Vit pas viti nisi dhe reduktimi në lëndët e ndërtimit që ishin përdorur. Po vit pas viti, nuk munguan edhe diskutimet, apo përplasjet për të. Reagime të njëpasnjëshme në vite kanë ardhur sidomos nga kryebashkiaku Gjika, i cili e vlerësoi ndërtimin e lënë përgjysmë si pengmarrje të qendrës historike të Vlorës. Vizitorët e shumtë teksa vizitonin Sheshin e Flamurit, bënin foto tek monumenti i pavarësisë, prezantoheshin edhe me pamjen e një karakatine gjigante.
Prej pak ditësh në shesh ka nisur shembja e ndërtimit. Për prishjen ka patur disa variante, por qenia në një zonë të banuar, ka bërë që ajo t'i besohet një makinerie gjigande me punëtorë të specializuar. Më shumë se gjysma e godinës është hedhur shembur. Procesi është në vijimësi. Investitori Shehu pohon se ndërtimi i ri do të jetë gati për 100 vjetorin e Pavarësisë. Konceptuar në një version modern, ndërtimi do të jetë shumëfunksional, pjesë e së cilave do të jetë hoteli, një park lojërash për fëmijë, qendër tregtare, etj.