E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë rrëzon sekuestron e pronave të kunatit të Bregut

SHKRUAN: Leonard Bakillari 10-03-2011 13:52

Tiranë Gjykata e Lartë “rrëzon” sekuestrimin e pronave të Elvis Gjeçajt, duke e rikthyer çështjen në Apel. Kolegji penal, pasi ka dëgjuar pretendimet e avokatit të Gjeçajt, ortak me djalin e Albino Prudentinos në disa biznese, ka vendosur të rikthejë çështjen për gjykim në Gjykatën e Apelit Vlorë, për parregullsi procedurale. Edhe pse nuk bëhen publike arsyet e këtij vendimi, burime zyrtare pranë Gjykatës së Lartë thanë se trupi gjykues ka pranuar kërkesën e biznesmenit, i cili kundërshton vendimin e Prokurorisë së Vlorës, për vendosjen e masës së sekuestros ndaj dy kompanive, ku ai është bashkëpronar me Anxhelo Prudentinon dhe biznesmenë të tjerë vendës e të huaj. Gjatë seancës së djeshme, përfaqësuesi i Gjeçajt ka argumentuar se vendimi i Prokurorisë është arbitrar, pasi penalizon klientin e tij nga e drejta e ushtrimit të aktivitetit të ligjshëm të biznesit. Sipas burimeve, mësohet se kërkesat e kunatit të ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, për kundërshtimin e vendimit të Prokurorisë janë shqyrtuar në dy seanca të ndryshme. Relatori i çështjeve, gjyqtari Andi Çeliku, u ka prezantuar kolegëve të tij gjyqtarë përmbajtjen e kërkesës dhe ecurinë e procesit, që nga vendimi i Prokurorisë së Vlorës, deri te vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë, që lë në fuqi masën e sekuestros. Pas dëgjimit të pretendimeve të avokatit dhe shqyrtimit gjyqësor, kolegji penal ka vendosur të rikthejë edhe një herë çështjen në Gjykatën e Apelit. Shkak për këtë vendim, sipas Gjykatës së Lartë, janë bërë parregullsitë procedurale gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje nga shkalla e dytë e gjyqësorit, por arsyet e plota do të shpallen nga gjykata në vendimin e arsyetuar. Pas arrestimit të Albino Prudentionos, i kërkuar nga drejtësia italiane për lidhje me organizatën mafioze “Sacra Corona Uinta”, Prokuroria e Vlorës nisi hetim për pronat e bosit mafioz dhe familjarëve të tij në Shqipëri. Nga verifikimet rezultoi se djali i tij Anxhelo Prudentino kishte lidhje biznesi me Elvis Gjeçajn, kunati i ministres së Integrimit, Majlinda Bregu. Në kuadër të hetimeve për pastrim parash, Prokuroria vendosi të sekuestrojë bizneset “Casino Italia”, me seli në qytetin e Vlorës dhe me degë në kompleksin ‘Muza Park’, në periferi të Tiranës, ambiente këto të marra me qira nga biznesmeni shqiptar, Elvis Gjeçaj. Po me vendim të Prokurorisë u sekuestruan aksionet e Anxhelo Prudentionos, por edhe të bashkëortakëve të tij në kompaninë “Betting System Albania”. Sekuestrimi i kësaj kompanie u vendos vetëm një ditë pasi Anxhelo Prudentiono, djali i të kërkuarit për lidhje me mafien, vendosi të shesë aksionet, një pjesë e të cilave i kaloi edhe biznesmenit Gjeçaj. Sekuestrimi i tyre u realizua në nëntor të vitit të shkuar nga Prokuroria e Tiranës, e cila kreu disa veprime hetimore për llogari të Prokurorisë së Vlorës, e cila kishte nisur hetimet për pastrim parash.

Beteja e Elvis Gjeçajt me drejtësinë

Pas vendimit të sekuestros, biznesmeni Elvis Gjeçaj depozitoi një padi në Gjykatën e Vlorës, me anë të së cilës kundërshtonte vendimin e Prokurorisë për sekuestrimin e pronave të tij. Në padi, Gjeçaj thekson se sekuestrimi i pronave të tij është i padrejtë, pasi materialet e sekuestruara në ambientet e kompleksit “Muza Park”, nuk i përkasin kompanisë “Casino Italia”. Por pavarësisht këtyre pretendimeve, Gjykata e Vlorës më datën 1 nëntor ka vendosur të rrëzojë padinë e Elvis Gjeçajt, duke lënë kështu në fuqi vendimin e Prokurorisë për sekuestron. Ky vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit, ndërsa dje Gjykata e Lartë e riktheu çështjen për gjykim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›