Feston datëlindjen, takon prindërit dhe vdes në qeli i paraburgosuri
25-vjeçari Ruxhers Nurçellari ndodhej në dhomat e paraburgimit të Peqinit, pasi ishte kapur me 1 kg e gjysmë marijuanë
PEQIN Gjendet i vdekur në paraburgim një 25-vjeçar që ndodhej në qelitë e burgut të Peqinit. Ruxhers Nuçerllari, i arrestuar nën akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, u gjet i vdekur dje në dhomat e paraburgimit të Peqinit. Sipas të dhënave të policisë dhe drejtorisë së burgut, 25-vjeçari ndodhej në paraburgim që nga qershori i vitit 2010. Sipas deklaratës zyrtare të policisë, “në burgun e Peqinit ka gjetur vdekjen shtetasi Ruxhers Nurçellari, nga Pogradeci, i cili ishte në dhomat e paraburgimit të këtij institucioni, pasi në muajin qershor të vitit 2010 është kapur nga patrulla e policisë me 1 kg e 500 gr lëndë narkotike e llojit kanabis sativa”. Ai dje kishte datëlindjen dhe sapo është takuar me prindërit është kthyer në qeli, në pritje për t’u përballur me akuzën në ditët në vazhdim. Por ky fakt duket se është përjetuar fort emocionalisht nga i riu, i cili është ndjerë shumë keq. Shokët e dhomës kanë dhënë ndihmën e parë, duke njoftuar edhe autoritetet e burgut. Ruxhers Nurçellari është dërguar fillimisht në spitalin e Peqinit, por nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi, pasi gjithçka ka ndodhur gjatë rrugës. Në burgun e Peqinit shkuan ekspertët dhe një grup hetimor. Sipas të dhënave të para të ekspertëve, dyshohet që i riu të ketë ndërruar jetë si pasojë e një ataku të fortë kardiak, të kaluar menjëherë pas festimit të datëlindjes me familjarët e tij. Burime nga burgu i Peqinit konfirmuan se më parë ai nuk kishte manifestuar asnjë shenjë të dhimbjeve në zemër apo shqetësime të tjera me shëndetin. Por megjithatë, grupi hetimor bëri të ditur se do të kryejë veprimet përkatëse, duke kërkuar edhe autopsinë, në mënyrë që të përcaktohet saktë shkaku i vdekjes. Grupi hetimor, i dërguar nga Elbasani, ka konstatuar se “pas takimit me familjarët e tij, rreth drekës, ai ishte kthyer për në qeli. Pas disa minutash, ky shtetas humbet ndjenjat dhe pas ndihmës së parë që iu dha nuk mundi të jetojë, por ka gjetur vdekjen”. Policia bën të ditur se gjatë këqyrjes së kufomës nuk janë konstatuar shenja dhune. F.S.