E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmia e shoqeve: Ornela u pendua për vetëhelmimin, por ishte vonë

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 10-03-2011 13:45

Tiranë Dhoma e Ornela Zhgjunit në një godinë të Qytetit Studenti është kyçur prej disa orësh. Dy shoqet e studentes së Ekonomikut, që i dha fund jetës duke pirë fotoksinë, janë larguar që aty, ndërsa habia, keqardhja dhe misteri kanë përfshirë të gjitha punonjëset e kësaj godine, të cilat nuk gjejnë fjalë për të përshkruar atë që ndodhi. “Jemi ta habitura dhe sinqerisht nuk dimë çfarë të themi. Ornela ishte një vajzë e urtë, që asnjëherë nuk na ka krijuar probleme. Ajo ishte në dhomë me dy motra nga Vlora, të cilat gjithashtu kanë treguar se ajo ishte një vajzë shumë e qetë dhe se nuk kishte shfaqur asnjë problem në sytë e tyre” - tregojnë kujdestarët e godinës në të cilën jetonte Ornela Zhgjuni. Rrëfimi i tyre vazhdon dhe më tej, duke treguar se, sipas dëshmive të shoqeve të dhomës, 20-vjeçarja menjëherë pasi kishte pirë helmin, ishte penduar për aktin e kryer. Ajo ka kërkuar ndihmën e shoqeve, por tashmë ka qenë vonë për 20-vjeçaren nga Burreli . “Mesa na thanë vajzat, Ornela ishte penduar sapo kishte pirë helmin dhe kishte kërkuar ndihmën e shoqeve, duke u lutur që ta shpëtonin. Ato menjëherë e morën dhe njoftuan mjekët dhe të atin e saj për atë çfarë kishte ngjarë. Mjekët erdhën me shpejtësi, por pavarësisht ndërhyrjeve të shumta, nuk arritën ta shpëtonin 20-vjeçaren” - tregojnë në godinën ku qëndronte studentja. Aty mësojmë se gjatë periudhës që ishte në shkollë, Ornela punonte në të njëjtën kohë si shitëse në një butik. “Ajo punonte si shitëse në një dyqan në zonën e Tiranës së Re dhe ndodhte që ndonjëherë edhe mund të vinte pas orarit kur mbyllej dera e konviktit dhe gjithmonë na kërkonte falje për vonesën, pasi e dinim që ishte në punë. Ajo na pati thënë se familja e saj nuk ishte në gjendje të mirë ekonomike dhe nuk arrinin të përballonin shpenzimet e shkollës së saj dhe për këtë gjë ajo ishte e detyruar të punonte.” - tregojnë studentet që e njohin vajzën. Nga ana tjetër, mësohet se dy shoqet e dhomës së 20-vjeçares janë marrë disa herë në pyetje nga ana e efektivëve të policisë për të dhënë detaje në lidhje me ngjarjen dhe mbi shkaqet që mund të kenë shtyrë Ornela Zhgjunin drejt vetëhelmimit. Sipas deklarimeve të tyre, mësohet se Ornela nuk ka shfaqur asnjë shqetësim gjatë këtyre ditëve dhe se menjëherë pasi ka pirë helmin ka kërkuar ndihmën e tyre për ta dërguar në spital, pasi ishte penduar. Ndërkohë, Policia e Tiranës është duke vazhduar hetimet për të zbardhur shkaqet e vetëhelmimit të 20-vjeçares, edhe pse deri më tani pistat kryesore janë ato të humbjes së provimeve apo probleme me ndonjë lidhje të mundshme intime. Lidhur me këto dyshime, punonjëset e godinës ku qëndronte Ornela tregojnë se ajo ishte ndër të vetmet vajza që nuk ishte parë të shoqërohej ndonjëherë me ndonjë djalë. Sa i përket ecurisë së saj në mësime, në godinën ku ajo qëndronte prej kohësh e ku i dha fund jetës, nuk dinë të të japin përgjigje.

Brovina: Të shokuar nga vetëhelmimi

Drejtori i Qytetit Studenti, Bujar Brovina, shpreh ngushëllimin e tij për familjen e 20-vjeçares, për të cilën shton se asnjëherë nuk i ka sjellë probleme. “Mbetëm të shokuar nga ajo që morëm vesh, pasi sinqerisht që ishte një vajzë shumë e urtë dhe mesa më kanë thënë kujdestaret e godinës 2, në të cilën ajo banonte, nuk u kishte sjellë asnjëherë probleme. Dy ditë më parë shkuam në Burrel, në banesën e familjes Zhgjuni, së bashku me disa shoqe të saj. Nuk di çfarë të them për shkaqet që mund ta kanë shtyrë vajzën të ndërmerrte hapin fatal, por cilatdo që mund të kenë qenë arsyet, nuk mund të justifikojnë humbjen e jetës së saj.” - shprehet për MAPO-n, drejtori i Qytetit Studenti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›