Vjedhje & drogë, goditet banda e periferisë
Policia e Tiranës finalizon operacionin “Kasollja”, duke çuar në pranga 2 autorë dhe shpallur në kërkim 2 të tjerë. Sekuestrohen 4 kg kanabis në një banesë në Laknas
Tiranë Policia e Tiranës bllokon 4 kilogramë kanabis dhe godet një bandë kriminale, që akuzohet për vjedhje dhe shitje të lëndëve narkotike. Operacioni i koduar “Kasollja”, i finalizuar me sukses ditën e djeshme, çoi në pranga dy të rinj, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim për disa grabitje të ndodhura në Tiranë e Kavajë, por edhe për shitje të lëndëve narkotike. “Përgjatë ditës së djeshme është realizuar njëkohësisht operacioni policor në Kamëz, Paskuqan dhe Rrogozhinë, për dokumentimin më tej të grupit kriminal me tendencë prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike si dhe vjedhjet e pronës. Gjatë këtij operacioni është bërë i mundur arrestimi i Drilon Çunit, 21 vjeç, banues në Mollas Skrapar; si dhe i Gani Seferit, 20 vjeç, banues në Rogozhinë” - thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës. Në bazë të hetimeve të kryera deri më tani, rezultoi se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen të jenë autorë të së paku 4 vjedhjeve të ndodhura në Kavajë, Paskuqan dhe Kamëz. “Ndërkohë, gjatë ecurisë së këtij hetimi, ka filluar procedimi penal për bashkëpunëtorët në këto vjedhje: Rexh Meshi, 32 vjeç, lindur në Kostur Has dhe banues në Laknas Tiranë, i dënuar më parë në Angli;si dhe Egzon Meshi, 18 vjeç, lindur në Kostur Has dhe banues në Laknas Tiranë. Nga kontrolli i banesës së tyre në Laknas u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 kg, lëndë e dyshuar narkotike e llojit kannabis sattiva, një sasi qesesh farmacie si dhe një sërë sendesh të vjedhura, të cilat kanë shërbyer për të realizuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin vjedhjet, prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.” - bëjnë të ditur burime zyrtare nga Policia e Tiranës. Ndërkohë, materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të 4 personave i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për konsumim të veprës penale të “vjedhjes në bashkëpunim” dhe “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Th.Samarxhiu