Shembet tavani i kopshtit kur fëmijët ishin brenda
Amortizimi i skajshëm, mungesa e investimeve dhe krahas tyre edhe konfliktet e vazhdueshme mes dy institucioneve që mbulojnë sistemin e institucioneve shkollore dhe parashkollore, kanë ndikuar jo vetëm në shkatërrimin total të shumë prej ambienteve të brendshme të shkollave e kopshteve në Gjirokastër, por edhe në vënien në rrezik të jetës së fëmijëve. Disa ditë më parë, një grup prindërish të shqetësuar për jetën e fëmijëve të tyre janë ankuar në prefekturë, bashki dhe në drejtorinë arsimore se në kopshtin e fëmijëve të lagjes "Zinxhira", jeta e fëmijëve është në rrezik për shkak të amortizimit të kësaj godine. Vetëm një ditë pas këtyre ankesave, nga mungesa e fondeve në këtë godinë, është shembur një pjesë e tavanit në një nga dhomat. "Shembja e tavanit që ndodhi në momentet kur fëmijët dhe edukatoret ndodheshin brenda, ka rrezikuar seriozisht jetën e tyre", u shpreh një nga prindërit e fëmijëve të kopshtit të "Zinxhireve". Sipas përgjegjëses dhe edukatoreve, për këtë kopsht, prej kohësh është kërkuar më shumë vëmendje për investime, pasi për shkak të lagështisë në ambientet e brendshme në tavane dhe mure janë vënë re shenja të rrezikut për shembje. "Ndonëse të gjithë ndodheshim brenda godinës, fatmirësisht shembja e tavanit nuk shënoi të lënduar as nga fëmijët, as nga personeli, por në këto kushte nuk mund të vazhdohet, sepse rreziku për jetën e fëmijëve vazhdon të jetë i pranishëm", u shpreh një edukatore. Ndërkaq, situata është e njëjtë edhe në disa prej shkollave të qytetit, të cilat janë jo më pak të prekura nga mungesa e investimeve. Një pjesë e mirë e shkollave ofrojnë të njëjtat kushte, të cilat, sipas drejtuesve të tyre, lënë shumë për të dëshiruar. Nga drejtuesit e tyre evidentohen shumë probleme në pjesët e brendshme dhe të jashtme të godinave shkollore, për të cilat askush nga bashkia dhe drejtoria rajonale e arsimit nuk pranon të marrë përgjegjësi. Përgjegjësia vërtitet sa në institucionin e bashkisë, aq në atë të drejtorisë arsimore, ndërsa ata që preken drejtpërdrejtë janë fëmijët, të cilët janë të detyruar të qëndrojnë dhe të studiojnë në kushte anormale. Një situatë e tillë është vetëm në vëmendje të Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik, e cila ka reaguar dje publikisht, duke denoncuar situatën skandaloze mbi higjienën në pjesën më të madhe të objekteve arsimore. Spiro Naka, përgjegjës i higjienës, bëri të ditur dje se një prej shkollave 9-vjeçare duhet të ishte mbyllur sipas një urdhri nga ky institucion, por deri tani, urdhri nuk ka gjetur zbatim për shkak të neglizhencës se institucioneve kompetente, bashkisë dhe drejtorisë arsimore. Në këtë shkollë, studiojnë mbi 60 nxënës, një pjesë e të cilëve janë prekur nga virusi i hepatitit B.