E Diel, 1 Nëntor 2026

Shteti "merr kontrollin" e qendrës për fëmijët e ngujuar

Qendra për fëmijët e ngujuar në Poliçan ka hapur përsëri dyert dje, por kësaj radhe si një qendër sociale në varësi të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Në këtë qendër ka zbritur dje një ekip i përbërë nga zyrtarë të lartë të Shërbimit Social Shtetëror (SHSSH): drejtori i përgjithshëm i këtij shërbimi, Mihal Naço, drejtori i standardeve sociale, Gëzim Tushi, si dhe shefi i shërbimeve, Zeqir Mustafaj. Treshja e zyrtarëve të SHSSH-së ka zhvilluar një takim me kreun e ri të qendrës, Nëntor Spahiu, dhe kanë shkëmbyer mendime mbi ecurinë e mëtejshme të saj.

Drejtori i standardeve sociale në SHSSH, Gëzim Tushi, tha se kjo qendër do të ngrihet në standarde bashkëkohore dhe aty do të strehohen fëmijë të cilët do të përzgjidhen pasi të kenë plotësuar të gjitha kriteret dhe që do të vlerësohen nga një komision i posaçëm. Në këtë qendër do të këtë fëmijë të cilët janë prekur nga fenomeni i gjakmarrjes, ose janë ngujuar dhe kjo do të vërtetohet me dokumente. Në qendër do të ketë fëmijë nga të gjitha zonat e vendit dhe aty do të shërbejë një staf i specializuar që do t‘u përgjigjet të gjitha nevojave të këtyre fëmijëve. Stafi, i cili është në gatishmëri, ka në përbërjen e tij psikologë, mësues, si dhe mjekë. Fëmijët kanë filluar të regjistrohen në këtë qendër që nga dje, duke dorëzuar dokumentacionin përkatës.

Ndërkaq është konfirmuar rikonstruksioni i ambienteve të qendrës për fëmijët e ngujuar. Paralelisht me rikonstruksionin, do të fillojë edhe mbledhja e fëmijëve që do të strehohen aty. Zyrtarët e Shërbimit Social Shtetëror thanë se këtej e tutje qendra do të administrohet nga shteti dhe nuk do të këtë më fëmijë "në besë", por fëmijë të cilët do të rehabilitohen sipas standardeve ligjore dhe gjithçka do të funksionojë në rrugë ligjore. Tashmë fondi është çelur dhe vetëm për shërbimet operative është përcaktuar një shumë prej 33 milionë lekësh. Dje, me rihapjen e qendrës, është bërë regjistrimi i 20 fëmijëve të parë.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotka, u shpreh dje se kjo qendër duhet të funksionojë në baza ligjore dhe gjithçka të jetë e kontrolluar nga shteti. Zotka tregon se si vetë kjo bashki ka investuar për qendrën, pasi i ka krijuar kushtet e nevojshme, duke ofruar ambientet e ish-spitalit të qytetit. "Kur kjo qendër u hap, katër vite më parë, funksiononte në rregull dhe është pajisur me financat e bashkisë, madje ka pasur dhe një bord që përbëhej nga intelektualë të qytetit. Por me marrjen e qendrës nën administrimin e shoqatës, me drejtoreshë Liljana Luanin, qendra mori drejtim tjetër. Nuk dihej saktësisht sesi funksiononin gjërat, madje fëmijët u çoroditën aq shumë sa filluan të mos shkonin as në shkollë", tregon kryetari i bashkisë së Poliçanit, i cili ishte një ndër personat që ngritën zërin për kalimin e kësaj qendre sociale në varësi të qeverisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›