E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, dy shkolla të shembura nga dëbora

Prej më shumë se dhjetë ditësh, 80 nxënës të shkollës 9-vjeçare të Bushtricës në Kukës janë pa shkollë, pasi godina ku bënin mësim është shembur për shkak të dëborës. Për këtë ngjarje, është shqetësuar edhe komuniteti i prindërve, të cilët kanë liruar një banesë të tyre ku fëmijët zhvillojnë mësimin në kushte aspak normale. Kryeplaku i fshatit, Ismen Mici, u shpreh për gazetën "Shqip" se fshati po bën më të mirën e mundshme, por nëse nuk ndërhyhet nga shteti rrezikohet krejt viti shkollor. "Ne gjetëm një banesë familjare, ku i zoti i shtëpisë na liroi dy dhoma, por kurrsesi nuk mund të shërbejnë për mësim normal", tha kryeplaku, duke sqaruar se dhomat e vogla me dritare si frëngji e vështirësojnë procesin mësimor. Përveç kësaj, një mësues tha se nga shembja e murit të shkollës janë dëmtuar edhe shumica e mjeteve mësimore, çka përbën një problem të madh. Shkolla ishte ndërtuar rreth dy dekada më parë dhe në të asnjëherë nuk ka pasur ndërhyrje riparuese. Bora dhe akulli kanë bërë që në një nga faqet e murit të fusë lagështirë e më pas krejt muri të shembet duke rrezikuar edhe jetën e fëmijëve. "Shkolla është shembur në orët e natës, Zoti i ka shpëtuar fëmijët tanë, sepse po të ndodhte kur ata të ishin në mësim, mund të ndodhte tragjedia", tha kryeplaku Mici. Drejtues të komunës, mësuesit dhe prindërit i kanë drejtuar një apel Shtabit të Emergjencave Civile në prefekturë për një ndërhyrje të shpejtë në riparimin e godinës së shkollës, por ende nuk ka një përgjigje zyrtare se çfarë do të bëhet me të. Në zonat fshatare ka një numër shkollash që ndodhen në gjendje kritike për t‘u shembur, një pjesë e të cilave ia "faturojnë" këtë situatë investimit pa cilësi dhe mungesës së përgjegjësisë nga ana e kompetentëve, kur marrin në dorëzim një objekt të caktuar. Dy javë më parë, e njëjta gjë ndodhi me shkollën e fshatit Metaliaj në Rrethin e Hasit, ku për shkak të dëborës, u shemb çatia e shkollës, duke lënë pa mësim rreth 170 nxënës. Edhe në Metaliaj, shembja ndodhi gjatë orëve të pasdites, kur mësuesit dhe nxënësit ishin larguar nga godina.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›