Rekord i ri për papunësinë në SHBA
Për amerikanët që zgjohen çdo mëngjes dhe mendojnë për të gjetur punë, raporti i djeshëm për papunësinë jep pak shpresa. Ekonomia amerikane shkurtoi 190 mijë vende pune në tetor dhe papunësia arriti një rekord të ri të paparë prej 26 vjetësh në nivelin 10.2 për qind të forcës së aftë për punë. Megjithëse numri i vendeve të punës të mbyllura është pakësuar shumë në krahasim me muajt e shkuar, ende nuk ka shpresa se tregu i punës do të fillojë së shpejti të zgjerohet sërish. Sipas ekspertëve, të dhënat e papunësisë bëjnë të qartë se rimëkëmbja ekonomike po ecën jashtëzakonisht shumë ngadalë. Ndërtimi, shitjet me pakicë dhe manifaktura qenë sektorët më të prekur nga shkurtimi i vendeve të punës.