Tashmë edhe ari po rikthehet në një rezervë shumë të preferuar
Bankat Qendrore, që kanë triliona dollarë rezerva, kanë filluar kalimin shumë gradual të blerjes së monedhave të tjera si euro, apo jen dhe do të vazhdojnë me këtë tendencë edhe në vitet në vijim, të nxitura nga shqetësimet për mungesën e stabilitetit të dollarit. Deficiti i madh buxhetor dhe rritja e dinamikës së ekonomive të vendeve në zhvillim si Kina e të tjera, flasin për një rënie të mëtejshme të dollarit dhe preferencës ndaj tij. Dhe kjo duket se është një tendencë që do të vazhdojë edhe në të ardhmen. "Mendoj se 2009-a do të mbahet mend si një vit kyç për sa u përket të gjitha llojeve të monedhave, veçanërisht dollarit. Nuk mendoj se do të ketë një ndryshim të menjëhershëm dhe të dukshëm, por është e qartë tashmë se do të ketë balancime të tjera dhe mbi të gjitha një zhvendosje balance nga dollari drejt monedhave të tjera", deklaron një specialist amerikan. Sipas një sondazhi të kryer nga "Barclays Capital", pjesa më e madhe e bankave qendrore kanë filluar të krijojnë që nga fillimi i këtij viti rezerva në monedha të ndryshme nga dollari. Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar flasin për një rënie të ndjeshme të rezervave të dollarit që nga viti 1999, kur ato ishin në masën 72%. Këtë vit u fut edhe euroja. Sipas fondit, ndihet një dëshirë për të reduktuar dollarin te rezervat valutore dhe bankat qendrore përfitojnë nga çdo rast për ta bërë një gjë të tillë. Për sa u përket rezervave aktuale të dollarit në botë ato janë në masën 62.8%. Politikëbërësit pranojnë faktin se dollari do të vazhdojë që të jetë një monedhë qendrore në financat ndërkombëtare edhe për shumë vjet, por dhjetëvjeçarin e fundit, ai ka pasur probleme, çka përbën një shenjë të keqe për Kinën, Rusinë dhe Indinë, apo kreditorë të tjerë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë triliona dollarë të borxhit të thesarit. Dollarit tashmë i duhet që të ndajë pjesën që dikur e kishte për vete edhe me monedha të tjera. Sipas ekspertëve, përfituesja e madhe e kësaj situate është euroja, por nuk ka arsye përse të mos besojmë për një sistem shumëmonedhash në të ardhmen. Bankat qendrore janë duke preferuar gjithnjë e më tepër edhe arin, çka mund të shpjegojë edhe psenë e rritjes së madhe të vlerës së metalit të verdhë. Shumë banka po planifikojnë blerjen e sasive të tjera të arit edhe gjatë vitit në vijim. Gjithsesi, ajo që tashmë po kthehet në një tendencë shumë të qartë është ulja e rezervave të dollarit në të gjitha bankat qendrore.