Teksas, masakra e Fort Hood: Majori amerikan vret 13 ushtarë
Një tragjedi masive ka ndodhur dje në Shtetet e Bashkuara. Është një nga ato tragjedi të papritura që marrin shumë jetë njerëzish dhe shkaktohen nga persona të dëshpëruar, të trazuar mendërisht, që zakonisht, pasi kanë vrarë shumë njerëz, e përfundojnë kasaphanën me vetëvrasje. Këtë herë, autori i kësaj ngjarjeje shumë të hidhur dhe tronditëse në Teksas ka qenë një major amerikan, i cili ka marrë jetën e 13 personave në një bazë ushtarake. Sipas disa burimeve të ushtrisë, ai do të nisej së afërmi në Afganistan me mision. Major Nidal Malik Hasan, 39 vjeç, një mysliman i lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka hapur zjarr ndaj shokëve të tij në Fort Hood të enjten në darkë. Të afërmit e psikiatrit të ushtrisë kanë bërë të ditur se majori kishte kohë që refuzonte të shkonte në Afganistan dhe madje donte të linte edhe vetë ushtrinë njëherë e përgjithmonë. Hetimet në lidhje me shkaqet e vërteta të masakrës kanë nisur nga hetuesit ushtarakë menjëherë pas përfundimit të masakrës që ka tronditur jo vetëm të afërmit e viktimave, por gjithë amerikanët dhe veçanërisht ushtrinë. Në orët e para të ditës së premte, komandanti i bazës Fort Hood tha se sipas dëshmitarëve okularë vrasësi para se të hapte zjarr bërtiti frazën "Allahu Akbar". Më pas ka hapur zjarrin ndaj 12 ushtarëve dhe një civili. Nga 28 personat që u shtruan në spital të plagosur, 14 kanë nevojë për t‘u operuar. Ndërkaq, zyrtarët e lartë të ushtrisë nuk kanë bërë asnjë lloj komenti në lidhje me shkakun apo shkaqet e mundshme që e kanë çuar ish-ushtarakun të kryejë këtë veprim jashtëzakonisht ekstrem, duke premtuar se hetimet do ta nxjerrin në pah shumë shpejt. Vetë majori është qëlluar katër herë dhe aktualisht ndodhet në spital i ruajtur. Policja që e goditi e para ishte ndër ato që u plagosën më pas prej majorit. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, Presidenti amerikan, Obama, e cilësoi atë si një "shpërthim të tmerrshëm dhune". Ai tha: "Është shumë e vështirë kur humbasim amerikanë trima në betejat që bëjmë nëpër botë. Është e tmerrshme kur ata janë viktima të një zjarri që u hapet në shtëpi". Maratona e të shtënave ka nisur në prag të darkës së të enjtes, në një qendër mjekësore të bazës ushtarake të Fort Hood-it, që është edhe baza ushtarake më e madhe amerikane në botë. Në këtë bazë ndodhen 40 mijë trupa amerikanë. Në një e-mail dërguar një agjencie britanike lajmesh, një ushtar që ndodhej në bazë e përshkruan atë një vend shumë të madh, ku mblidhen një numër i madh ushtarësh. Pranë vendit ku është hapur zjarr po zhvillohej edhe një ceremoni garimi, në të cilën merrnin pjesë 600 ushtarë. Falë shpejtësisë me të cilët ata vepruan, dyert e sallës u mbyllën, duke shmangur kështu një katastrofë edhe më të madhe. "Ajo që ka ndodhur është e tmerrshme dhe e jashtëzakonshme, por mos harroni se mund të kishte qenë edhe shumë më keq", tha një ushtar që e ka parë ngjarjen dhe ka vlerësuar rrezikun. Majori ishte transferuar në bazën e Teksasit në korrik dhe sipas të dhënave të para dukej se nuk ishte një person i lumtur, madje në bazën e mëparshme ku kishte shërbyer ishte shndërruar në një subjekt shqetësues. Kushëriri i majorit ka dërguar një mesazh në gazetat amerikane në emër të familjes, në të cilin thuhet: "Ne jemi të tronditur dhe shumë të trishtuar për ngjarjen e tmerrshme të Fort Hoodit. U dërgojmë familjeve të viktimave ngushëllimet tona".