E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembja e Pallati në Gjirokastër, çështja në Apel

Prokuroria e Gjirokastrës e ka dërguar këtë çështje në shkallën e dytë të gjyqësorit, pasi kundërshton vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për dënimin e përgjegjësve.

Prokuroria e Gjirokastrës, bëri të ditur se akuza nuk do të tërhiqet nga vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të rrethit Gjirokastrës, për shkak se ngjarja e 9 nëntorit 2008 ka pasur tri viktima dhe vendimi i gjyqësorit ishte tepër i ulët, krahasuar me kryerjen e veprës penale.

Sipas burimeve, përveç cilësimit ligjor për të pandehurin kryesor të ngjarjes, vendimi për fajësinë e 3 zyrtarëve të Bashkisë të ngarkuar me mbikqyrjen e punimeve të ndërtimit, është i padrejtë. Vetëm një ditë pas përvjetorit të parë të shembjes së pallatit pesëkatësh në lagjen "11 janari”, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Desad Avdulaj shpalli të pafajshëm 3 nga 7 të akuzuarit si shkaktarë të tragjedisë me argumentin "për mungesë provash" dhe dënoi gjithsej me 12.6 vjet burg e 1.5 milionë lekë gjobë 4 të akuzuarit e tjerë.

Ndryshe nga pretenca e dhënë nga Prokuroria së Gjirokastrës ku kërkoi 38 vjet burg dhe 2.4 milionë gjobë, administratori i firmës "Arti" sh.p.k., Sotiraq Janora u dënua me 6 vjet burg, Afërdita Papamihali, ish-sekretare e KRRT së Bashkisë u dënua me 2.6 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë, Admir Shehaj, ish-inspektor në Inspektoriatin e Ndërtimit pranë Bashkisë u dënua me 2 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë, ndërsa Gjergji Meçi inxhinieri i firmës  u dënua 2 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë.

Trupi gjykues vendosi për 4 të pandehurit, heqjen e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 3-vjeçare. Në nëntor të vitit të shkuar, shembja e një pallati 5 katesh në këtë qytet shkaktoi 3 të vdekur dhe disa të plagosur.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›