Thaçi: Serbia të mos e huq rastin më 2 prill

Kryeministri Hashim Thaçi e ka njoftuar Kabinetit Qeveritar për takimin e shtatë me kryeministrin serb, Ivica Daçiq. Në mbledhjen e Qeverisë, kreu i ekzekutivit, takimin e quajti maratonik, por që, sipas tij, është përcjellë me gatishmërinë për të lëvizur përpara. ''Dua të shpresoj që ai rast që u huq nga Serbia, të përmirësohet më 2 prill'', tha Thaçi.
Edhe pse nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete, për kryeministrin Thaçi, takimi ka shënuar progres në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ai tha se për Kosovën pozicionet janë jashtëzakonisht të qarta, ndërkohë që më 2 prill pret një marrëveshje konkrete, në mënyrë që, siç tha ai, të kalohet nga faza njëshekullore e konfrontimit në bashkëpunim e fqinjësi të mirë, shkruan Rtk.
“Ishte një mundësi e mirë që nga koha e kaluar të lëvizim drejt përmbylljes apo arritjes së marrëveshjes në mënyrë që të kaloj nga e kaluara një shekullore të konfrontimit të Kosovës dhe Serbisë në një fazë të re, në një etapë të re, atë të bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë. Dua të shpresoj që ai rast që u huq nga Serbia, të përmirësohet më 2 prill, ndërsa qëndrimet e Qeverisë së Kosovës edhe në Bruksel kanë qenë shumë të qarta, janë qëndrime që përputhen plotësisht me pozicionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian dhe të NATO-së. Pra, lëvizje e lirë, krijimi i ambientit të sigurisë për gjithë qytetarët e Kosovës, shpërbërjen e plotë të gjitha strukturave të ilegale”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Ai shtoi se nëse arrihet marrëveshja, në kuadër të angazhimeve dhe të implementimit të kësaj marrëveshje, janë tre faktorët që duhet të ndërmarrin përgjegjësinë, institucionet e Republikës së Kosovës, EULEX-i dhe NATO. Kryeministri ka thënë se për këtë ka marrë edhe mbështetjen e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, Ander Frog Rasmussen./Indeksonline/