Thaçi uroi Ahmetin

(E plotësuar)Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në një bisedë telefonike ka uruar kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti për suksesin e treguar në zgjedhjet lokale në Maqedoni.
Kryetari Thaçi uroi Ahmetin për rezultatin e BDI-së në këto zgjedhje dhe çmoi lartë procesin demokratik zgjedhor, ku u tregua një proces zgjedhor i rregullt, me një tolerancë të theksuar brenda shqiptare dhe në raportet ndëretnike në Maqedoni, thuhet në urimin e Thaçit.
Kryetari i PDK-së përgëzoi edhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë, në veçanti ata shqiptarë për kulturën e lartë demokratike, por edhe për bashkëpunimin ndërpartiak shqiptar, me qëllim të forcimit të demokracisë dhe të pozitës udhëheqëse të shqiptarëve në Maqedoni.
Thaçi theksoi gatishmërinë e bashkëpunimit me qëllim të forcimit të raporteve ndërshtetërore e ndërpartiake.
---
Zgjedhjet lokale në Maqedoni ishin konkurrente dhe të zbatuara në mënyrë efikase. Dita e zgjedhjeve ishte e qetë edhe pse ishin regjistruar disa parregullsi procedurale, përkatësisht edhe raste në votim grupor, vlerësojnë në raportin preliminar vëzhguesit e OSBE/ODIHR dhe Kongresi i autoriteteve lokale dhe rajonale të Këshillit Evropian.
"Zgjedhjet u dhanë mundësi kandidatëve të udhëheqin fushatë të lirë zgjedhore dhe vetë fushata ishte shumë aktive. Në të njëjtën kohë misioni ynë mori akuza të besueshme për frikësim të votuesve dhe keqpërdorim të resurseve shtetërore gjatë fushatës" thotë ambasadori Gert Arens, shefi i Misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR.
Me disa përjashtime, në vendvotimet e vizituara nga ana e vëzhguesve zgjedhjet janë zhvilluar pa incidente më të mëdha, shkruan Ina.
Vëzhguesit kanë vërejtur një "mbështetje partiake të mbulimit medial dhe përzierje të aktiviteteve shtetërore me ato partiake, që gjithmonë nuk kanë siguruar garë të unifikuar". Ekziston shqetësim për gjendjen lidhur me mediat jo vetëm në raport me këto zgjedhje por edhe në kontekst më të gjërë. Mediat pluraliste dhe gazetarë të cilët e përmbushin funksionin e tyre në shoqëri janë me rëndësi më të madhe për një demokraci, vlerësojnë OSBE/ODIHR dhe KE.
Legjislacioni zgjedhor është gjithëpërfshirës edhe pse janë të nevojshme reforma e mëtutjeshme me qëllim të përmirësohet Kodi Zgjedhor. KSHZ-ja punoi në mënyrë efikase dhe transparente dhe i plotësoi afatet zgjedhore, por ndonjëherë votonte për partiake ose linjë etnike që kishte ndikim negativ ndaj paanshmërisë së tij dhe kolegjialitet. Largimi i rreth 119 mijë qytetarëve nga lista zgjedhore para zgjedhjeve për shkak të dokumenteve biometrike ishte përkrahur nga një numër i madh i partive. Edhe pse ekzistonte besim i rritur në përpikshmëri të listave kishte ankesa, përkatësisht edhe në ditën e zgjedhjeve. Është i domosdoshëm përmirësim i procedurave për përbërjen dhe mbajtjen e Listës zgjedhore, thuhet në raportin preliminar të OSBE/ODIHR dhe KE./Indeksonline/