Shembja e pallatit, Prokuroria: 21 vjet burg administratorit të firmës
GJIROKASTËR- Deklarimin fajtor të 7 të pandehurve për rrëzimin e pallatit në Gjirokastër, ku humbën jetën nën rrënoja tre persona, një e moshuar dhe nënë e bijë.
Prokurori i çështjes Alfred Saliaj kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurve, ndërkohë që kërkoi si masën më të lartë të dënimit, atë me 21 vjet burg për administratorin e "Arti shpk" Sotiraq Janorën.
Mbi këtë shtetas rëndon akuza e vrasjes dhe shkatërrimit të pronës. Për Afërdita Papamihalin, sekretaren e bashkisë së Gjirokastrës prokuroria kërkoi shpalljen fajtor për akuzën e "shpërdorimit të detyrës" dhe dënimin e saj me 3.6 vjet burg.
Me 3.6 vite burg ka kërkuar prokurori i çështjes të dënohen të pandehurit Admir Shehajn e Alfred Mamanin, ndërkohë që 3 vite heqje lirie janë kërkuar për inxhinierin e firmës Gjergji Mece.
Për dy të pandehurit e tjerë, Leonard Mustafarajn dhe Petrit Maksutin punonjës i policisë bashkiake është kërkuar dënimi me 1 vit burg. Për të pandehur janë dhënë edhe masa ndëshkuese me gjoba.
Seanca e radhës do të mbahet në 2 nëntor ku do të dëgjohet dhe fjala e fundit e palës mbrojtëse dhe më pas do të merret vendimi.
Ngjarja ndodhi në 9 nëntor kur shembja e një pallati 5-katësh në "11 Janari" të qytetit shkaktoi 3 viktima, ndërsa 14 familje mbetën të pastreha. Prokuroria pas hetimeve doli në konkluzionin se shkak për shembjen e pallatit ishin punimet që kryheshin për ndërtimin e një qendre tregtare.