Tërhiqet Berisha: Nënë Tereza i përket Kalkutës
Edhe pse kërkoi eshtrat e Nënë Terezës, Berisha shprehet se nuk pret që të ketë një vendim pozitiv nga autoritetet indiane
TIRANË - Qeveria shqiptare është drejt tërheqjes nga iniciativa e saj për të sjellë nga India në Shqipëri, eshtrat e Nënë Terezës. Në ditën e Lumturimit të shenjtores Nënë Tereza, Kryeministri, Sali Berisha, deklaroi se ajo i përket Indisë. Që në fillim të debatit për këtë çështje, duket se kreu i ekzekutivit e ka ditur fort mirë qëndrimin e Indisë.
Ndaj dhe dje, për herë të parë, Berisha ka pranuar se pavarësisht kërkesës, ai nuk pret që të ketë një vendim pozitiv nga autoritetet indiane dhe çështja e Nëna Terezës, nuk mund të shndërrohet në një kundërshti midis dy kombeve.
"Nuk mund të them se do të ketë një vendim pozitiv nga autoritetet indiane, sepse ky është një vendim i vështirë, por ajo që mund të them është se kjo është një temë dialogu dhe dua të theksoj se një simbol kaq i madh dhe i çmuar që bashkon dy kombet tona nuk mund të jetë gjë tjetër veçse i tillë, nuk mund të shndërrohet në një kundërshti midis dy kombeve dhe dy vendeve tona", - tha dje Berisha.
Sipas tij, kërkesa e iniciuar prej tij ka qenë më shumë në rrafshin njerëzor për të krijuar në këtë mënyrë mundësinë për të afërmit e Gonxhe Bojaxhiut, që të kishin pranë njeriun e tyre, që kontribuoi kaq shumë në zhdukjen e varfërisë, veçanërisht në Kalkuta të Indisë.
"Gonxhe Bojaxhi u bë Nënë Tereza në Kalkuta të Indisë dhe ajo meriton më shumë se çdo gjë tjetër të quhet Nënë Tereza e Kalkutës. Kërkesa ime është thjesht njerëzore, sepse kam bindjen se, në fund të fundit, çdo njeri, çdo vajzë do të dëshironte, po ta kishte të mundur të prehej pranë eshtrave të nënës dhe motrës së saj", - sqaroi Berisha.
Kryeministri shqiptar i bëri këto deklarata gjatë vizitës së tij, në misionin e motrave të Urdhrit të Nënë Terezës, në Tiranë. Berisha shprehu vlerësimet më të mira për figurën e Nënë Terezës si një nga personalitetet që sipas tij, lartësoi emrin e saj dhe të Shqipërisë në mbarë botën.
Berisha vizitoi edhe ambientet e misionit, ku strehohen rreth 50 persona në nevojë, apo me aftësi të kufizuara, të moshuara, gra dhe fëmijë. Ky mision u vjen në ndihmë edhe 100 familjeve shqiptare në nevojë. Duke vizituar ambientet e këtij Urdhri, kryeministri Berisha, theksoi se ky mision bën pikërisht atë punë, që strukturat shtetërore nuk kanë arritur ta kryejnë plotësisht.
"Në bisedë, motra më informoi se janë 100 familje shqiptare, të cilat marrin ushqimin nga Urdhri i Nënë Terezës dhe ne jemi të interesuar në identifikimin e tyre, se faktikisht, këto bëjnë atë punë që, për fat të keq, strukturat shtetërore nuk e kanë aq të plotë...", - pohoi Berisha.
Vetëm disa ditë më parë Berisha deklaroi se po negociohet me qeverinë e Indisë për të bërë të mundur kthimin në atdhe të eshtrave të Nënë Terezës, por përgjigja e dhënë nga autoritetet indiane ishte negative. Për kërkesën e qeverisë shqiptare, në fakt shkruan edhe media të njohura botërore si CNN duke paraqitur një panoramë të zgjeruar mbi kërkesën e qeverisë dhe qëndrimin e Indisë.
Menjëherë pas kërkesës së kryeministrit Berisha, që më shumë sesa iniciativë konkrete ishte vetëm një deklaratë e dhënë përmes një konference për shtyp, reagoi edhe qeveria indiane, duke e refuzuar përfundimisht kërkesën e kryeministrit të vendit.
Pas debatit në distancë, kryeministri i vendit duket se është tërhequr duke argumentuar së kërkesa e tij ishte veçse njerëzore dhe se Nënë Tereza i përket Kalkutës së Indisë. Dje u shënua 6-vjetori i lumturimit të Nënë Terezës.
Më 19 tetor të vitit 2003, Papa Gjon Pali II organizoi lumturimin e humanistes shqiptare, Nënë Tereza në Vatikan. Nobelistja shqiptare u lumturua "Në emër të të varfërve e të dashurisë për Zotin", duke hedhur kështu hapin e parë drejt shenjtërimit të plotë të saj. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Vatikan dhe vende të tjera ku ajo jetoi e punoi, u zhvilluan aktivitete nga të më të ndryshmet.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, (Indi). Për veprën e saj të rrallë humanitare u vlerësua me çmimin Nobel për Paqe. Emrin Tereza e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë. Gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës iu kushtua të varfërve dhe të sëmurëve.