E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembja e pallatit, shteti kërkon dëmshpërblim

Përfaqësuesi i shtetit është shprehur se pagesa e dhënë nga qeveria duhet t'i merret firmës që kryente punimet

GJIROKASTËR- Starton zyrtarisht gjyqi ndaj 7 personave që akuzohen për rrëzimin e pallatit 5-katësh në Gjirokastër.


Pas shtyrjes së seancës së disa ditëve më parë, procesi i djeshëm ka nisur me kërkesën e bërë nga ana e përfaqësuesit të shtetit, Kristaq Kutra. Ai u shpreh se dëmshpërblimi i marrë në muajin dhjetor nga 14 familjet e që kap shumën e 46 milionë lekëve të rinj, duhet të paguhet prej firmës ndërtuese "Arti Shpk", e cila po kryente punimet që sollën edhe shembjen e pallatit.

"Avokatura e Shtetit, si përfaqësuese ligjore dhe mbrojtëse e interesave pasurore të shtetit shqiptar, ka depozituar pranë këtij institucioni padinë civile në procesin penal të paditësit Këshilli i Ministrave kundër të paditurit, Sotiraq Janora, i cili në çështjen të cilën shqyrtoni është në cilësinë e të pandehurit",- u shpreh Kutra. Sipas tij, duke analizuar kërkesë-padinë e depozituar rezulton se shteti shqiptar ka vendosur të japë për llogari të familjeve të dëmtuara shumën prej 46 247 160 lekësh.

Trupi gjykues i drejtuar nga Desard Avdulaj e ka pranuar kërkesën e avokatit Kutra dhe ka vendosur që për këtë kërkesë-padi civile të Avokaturës së Shtetit të vendosë një proces civil, që do të jetë i ndarë nga ai penal. Po gjatë kësaj seance, shtatë të pandehurit, përkatësisht Admir Shehaj, Afërdita Papamihali, Alfred Mamani, Gergji Meçe, Petrit Maksuti, Leonard Mustafaraj dhe Sotiraq Janora janë njohur me akuzat.

Pala mbrojtëse ka deklaruar se gjatë këtij procesi gjyqësor do të sjellë fakte dhe dëshmi që tregojnë pafajësinë e të pandehurve. Seanca e radhës do të zhvillohet më 5 maj dhe gjatë saj pritet të dëgjohen rreth 31 dëshmitarë.

Akuza për 5 punonjësit e Bashkisë së Gjirokastrës është "shpërdorim detyre". Ndërsa mbi presidentin e firmës ndërtuese "Arti shpk", Sotiraq Janora, dhe inxhinierin zbatues së kësaj shoqërie, Gjergji Meçe rëndojnë akuzat e "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese" dhe "shkatërrimit të pronës me dashje".

Më 9 nëntor të vitit të kaluar një pallat 5-katësh në lagjen "11 Janari" të qytetit të Gjirokastrës u shemb, duke shkaktuar 3 viktima, ndërsa 14 familje mbetën të pastreha. Prokuroria pas hetimeve doli në konkluzionin se shkak për shembjen e pallatit ishin punimet që kryheshin për ndërtimin e një qendre tregtare.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›