E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr mes dy fiseve, qëllohet me armë autobusi

TERRORI/ Dy armë automatike janë zbrazur në një konflikt që ka shkaktuar pesë të plagosur në Shkozet

DURRËS - Një sherr i paradokohshëm mes dy fiseve ku patën mbetur të plagosura një grua e moshuar dhe një vajzë e vogël e fisit Meta, ka rikthyer në lagjen rome të N.Tullës së vjetër në Shkozet pamje të harruara të viteve 1997.

Një shkëmbim zjarri dhe 5 të plagosur, mes të cilëve të dëmtuar edhe pasagjerët e autobusit të linjës Durrës-Fallkë-qyteti Rinia. Më pas një numër i madh punonjësish të policisë që hynin kudo në kërkim të autorëve të përdorimit të armëve të zjarrit.

Krismat e armëve ishin ngjethëse pasi vetëm dy ditë më parë, në periferinë e kësaj lagjeje të Shkozetit kishin mbetur të vrarë dy vetë. Një i plagosur rëndë dhe katër të tjerë i janë drejtuar spitalit, ndërsa policia vuri në pranga dy persona dhe sekuestroi dy armë automatike. Në orët e vona të mbrëmjes ishte ende në kërkim autori i tretë i ngjarjes.


Ngjarja


Ka qenë ora rreth 16:30 kur një telefonatë ka mbërritur në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, që njoftonte se në lagjen nr.14 Shkozet kishte shpërthyer një konflikt me armë zjarri. Policia e mbërritur në vendngjarje shoqëroi rreth 30 vetë për të marrë të dhënat rreth situatës.

Më pas ajo njoftoi se nga veprimet e para hetimore rezultonte se konflikti kishte ndodhur ndërmjet familjes Meta e Kalemi, banorë të së njëjtës lagje, të cilët e kanë nisur me një sherr banal, më pas janë goditur mes tyre me sende të forta, ku janë lënduar pjesëtarë të të dyja familjeve dhe situata ka degjeneruar deri në shkëmbim zjarri.

Në momentin kur pjesëtarë të të dyja familjeve po shkëmbenin zjarr ndaj njëri-tjetrit, në rrugë po kalonte autobusi i linjës Durrës-Sektor Rinia.

Nga shkëmbimi i zjarrit janë plagosur pesë shtetas. Shërbimet e policisë bënë të mundur kapjen e njërit prej autorëve të kësaj ngjarjeje, shtetasin Kujtim Meta, 30 vjeç, të cilit iu gjet dhe iu sekuestrua arma tip kallashnikov.

Ndërsa në orët e vona të mbrëmjes policia vuri në pranga edhe Nazim Kalemin, 49 vjeç, ndërsa sekuestroi një automatik. Ndërkohë po punohet për kapjen e autorit të tretë, edhe ai i familjes Kalemi, i identifikuar tashmë nga policia.


Konflikti


Banorët rrëfejnë se para një viti familja Meta dhe Kalemi ishin grindur, pasi shtetasi Sajmir Kalemi ka qëlluar me armë zjarri ndaj familjes Meta duke lënë të plagosur shtetasen Dile Meta, 60 vjeçe, dhe mbesën e saj, Ornela Meta, 16 vjeçe.

Pas arrestimit nga policia, Kalemi u dënua me 10 vjet heqje lirie, ndërsa një tjetër person që ishte me të u dënua me gjashtë muaj dhe sapo kishte dalë nga burgu. Pas kësaj ngjarjeje, familja Kalemi kishte ikur duke braktisur fare këtë lagje. Banorët thonë se deri para disa ditësh ata kishin banuar në Tiranë.

Ndërsa nuk është ende e qartë se si rinisi sherri, shumë prej fqinjëve rrëfyen se që në momentin që Kalemët u shfaqën në zonë, lindi një parandjenjë e keqe, pasi sipas tyre ky fis mbahet si "i fortë". Fillimisht anëtarë të dy fiseve kanë nisur të zihen në mes të rrugës. Fisi Meta është qëlluar me gurë dhe mjete të tjera rrethanore nga kundërshtarët.

Në një moment Kalemët janë afruar pranë portës së Metëve duke gjuajtur me gurë në drejtim të saj. Më pas, atyre u është përgjigjur një armë kallashnikov, nga e cila është shtënë rreth 5 herë. Por një tjetër armë është përgjigjur, kësaj here nga personat e tjerë.

Të plagosurit


Dilaver Meta, 24 vjeç, plagosur me plumb në këmbë
Bashkim Zhupa, pasagjer në autobus. Është në gjendje të rëndë shëndetësore
Silvana Hasani, 19 vjeçe, banuese në fshatin Rinia, pasagjere në autobus, jashtë rrezikut për jetën
Elvana Ndoci, 23 vjeçe, banuese në fshatin Rinia, pasagjere në autobus, jashtë rrezikut për jetën
Suela Kalemi, 33 vjeçe, është goditur me sende të forta

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›