E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembulli i Rahovecit

Gara e balotazhit për kryetar të Rahovecit, të dielën, pritet të jetë një matje e re forcash. AKR’ja ka nënshkruar koalicion parazgjedhor për ta mbështetur kandidatin e LDK’së. Ndërsa, PDK’ja në heshtje po mbështet Smajl Latifin e AAK’së. Thuhet se koalicionet në Rahovec nuk kanë lidhje me ato në qendër. Nga Valmir Klaiqi më 16 dhjetor 2010 në ora 09:04

Ndihma e ofruar nga ana e AKR’së së Behgjet Pacollit për LDK’në në garën e balotazhit për kryetar të Rahovecit, më shumë shihet si një hakmarrje politike e AKR’së ndaj AAK’së së Ramush Haradinajt, sesa një partneritet i dëshiruar LDK-AKR.

Lideri i AKR’së, Pacolli, ka qëndruar në shtëpinë e kreut të LDK’së, Isa Mustafa ku edhe e kanë kurorëzuar marrëveshjen.

Por, AAK’ja nuk dëshiron të kundërpërgjigjet për shkak të efektit që mund të shkaktohet në qendër, në rast se kjo parti do të nënshkruajë tani koalicion me PDK’në në Rahovec.

Kështu të paktën ka thënë për Express një zyrtar i lartë i AAK’së në Prishtinë, pa dashur t’i përmendet emri.

“Ne do të kemi mbështetje nga strukturat e PDK’së në Rahovec, por koalicion nuk besoj se do të nënshkruajmë. Sa i përket koalicionit mes LDK’së e AKR’së, ky është vetëm tentim hakmarrjeje i AKR’së ndaj nesh si parti”, ka shpjeguar zyrtari i AAK’së.

Shefi i shtabit zgjedhor të AAK’së në Rahovec, Ali Dula, ka konfirmuar për gazetën se nuk e kanë ndërmend të bëjnë asnjë marrëveshje me asnjë parti politike, për garën e balotazhit.

“As nuk kemi biseduar me askënd dhe as nuk do të bisedojmë. Ne jemi në garë për të fituar dhe për këtë kërkojmë mbështetjen dhe votat e qytetarëve, e jo të partive. Ka disponim nga struktura të ndryshme të partive që të na mbështesin dhe ky është qëndrim i tyre personal, por marrëveshje ne nuk bëjmë me asnjë parti”, ka deklaruar Dula për gazetën.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës, e cila në zgjedhjet e 12 dhjetorit dëshmoi se vazhdon të jetë e fuqishme në Rahovec, nuk e ka ndërmend të lidhë koalicion me asnjërën nga partitë e mbetur në garë për kreun e Rahovecit.

Zyrtari i lartë i PDK’së, Idriz Vehapi, ka thënë të mërkurën për Express se PDK’ja nuk ka qëndrim zyrtar apo marrëveshje me ndonjë subjekt politik për mbështetje të ndonjë kandidati të caktuar në balotazhin në Rahovec.
“Ne nuk e përjashtojmë asnjë parti, por për momentin nuk ka asnjë kontakt dhe asnjë marrëveshje”, ka thënë Vehapi.

Megjithatë, edhe burime të gazetës brenda PDK’së pohojnë se dega e kësaj partie në Rahovec në heshtje po e mbështet kandidatin e AAK’së, Smajl Latifi.

Të gjitha këto marrëveshje, sipas analistit Shkëlzen Maliqi, nuk mund të kenë kurrfarë ndërlidhjeje me koalicionin në nivel qendror që pritet të lidhet mes partive, pas certifikimit të rezultateve nga zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Maliqi ka thënë se gara në Rahovec nuk bëhet madje as mes subjekteve politike, sa bëhet mes dy kandidatëve në garë.

“Ndihma apo koalicionet lokale në Rahovec nuk mendoj se mund të merren si ofrim i partive të caktuara për nivelin qendror. Rezultatet e zgjedhjeve nacionale në Rahovec tregojnë qartë se atje në zgjedhjet lokale votohet për kandidatë, e jo për parti”, ka thënë Maliqi.

Sipas tij, në Rahovec më shumë ka rol dhe peshë një koalicion i kandidatëve të mbetur në garë me PDK’në, si partia më e madhe atje, sesa me AKR’në.
“Kjo për shkak se nuk dihet nëse në raundin e parë votat e kujt i ka marrë kandidati i AKR’së. Pra, ka mundësi që ai ka pasur vota të PDK’së. Prandaj, them se më shumë do të vlente dhe do të kishte peshë një koalicion me PDK’në për balotazh, qoftë ai koalicion i hapur apo i mbyllur”, ka thënë Maliqi.

Në garën e balotazhit për kryetar të Rahovecit, të dielën garojnë Ibrahim Kryeziu nga LDK’ja përballë Smajl Latifit nga AAK’ja.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›