E Diel, 1 Nëntor 2026

Vështrimet shqiptaro-serbe

Qendra Multimedia nga Prishtina dhe asociacioni Kulturanova nga Novi Sadi organizojnë ekspozitën ‘Vështrimet’. Ekspozita do të hapet sot (e enjte) në Teatrin Dodona, në ora 18:00. Nga Express më 16 dhjetor 2010 në ora 12:13

Takimi i historive personale të shqiptarëve dhe serbëve, ka për qëllim t’u mundësojë njerëzve në Kosovë dhe Serbi t’i shkëmbejnë rrëfimet e tyre jetësore. Organizatorët besojnë që një prej arsyeve kryesore të keqkuptimit, mosbesimit e urrejtjes në mes të popujve qëndron tek gjeneralizimi dhe nënshtrimi ndaj stereotipeve.

Komunikimi kulturor ndërmjet Kosovës e Serbisë në 20 vitet e fundit është zhdukur plotësisht. Qëllimi i këtij projekti është shpalosja e përbashkët e historisë, përmes rrëfimeve e tregimeve personale të njerëzve të zakonshëm si dhe pastaj krijimi i një shfaqjeje teatrore e cila do të bazohet mbi këto përvoja e histori individuale.

“Ne duam të shohim se ku ekzistojnë dallimet dhe posaçërisht ku ekzistojnë ngjashmëritë. Njerëzit e këtyre trevave janë arsimuar përmes historive ‘shtetërore’, kulturës së inspiruar nga luftërat e betejat, si dhe përmes turbo-artit patriotik, i cili ka ushqyer urrejtje dhe ka thirrur për hakmarrje. Prandaj dëshirojmë ta zhvillojmë një qasje kritike në lidhje me identitetet tona ‘në ndërtim e sipër’. Ne besojmë se pas dhjetë viteve nga përfundimi i luftës në Kosovë, ka ardhur koha që t’i propozojmë botës një rrëfim suksesi të bashkëpunimit të frytshëm të artistëve nga Kosova e Serbia. Bashkëpunimi që jep rezultate pozitive e që duhet të shërbejë si shembull i mirë për të tjerët,” thuhet në një njoftim të organizatorëve.

Rrëfimet jetësore të shqiptarëve dhe serbëve të mbledhur për nevojat e shfaqjes teatrore që do të punohet më vonë, janë motivi qendror i kësaj ekspozite që po hapet për publikun në Prishtinë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 16 deri më 26 dhjetor 2011.

Ekipi shtatëanëtarësh i Qendrës Multimedia nga Prishtina dhe ai nëntëanëtarësh nga asociacioni Kulturanova nga Novi Sadi kanë zhvilluar ndërmjet datave 15 – 19 korrik 2010, intervista me banorët shqiptarë dhe serbë të Kosovës. I tërë procesi i udhëtimit, përgatitjes dhe zhvillimit të intervistave është regjistruar me audio e video materiale.

Ekspozita “Vështrimet” është hapur më herët me datë 10 nëntor në Novi Sad, në Muzeun e Arteve Bashkëkohore të Vojvodinës dhe ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm. Tani ajo po hapet edhe në Kosovë.

Ky projekt është financuar nga: Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, Heinrich Böll Stiftung, European Cultural Foundation, Fond Za Otvoreno Drustvo Srbija dhe Erste Stiftung.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›